Grupi militant palestinez Hamas thotë se, e vetmja mënyrë për të liruar pengjet, është respektimi i kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej se marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit do të anulohej, nëse të gjithë pengjet nuk liroheshin deri të shtunën.
Zyrtari i lartë i Hamasit Sami Abu Zuhri u tha gazetarëve se komentet e Presidentit Trump e komplikojnë armëpushimin.
“Trump duhet të kujtojë se ekziston një marrëveshje që duhet respektuar nga të dyja palët dhe kjo është mënyra e vetme për të rikthyer të burgosurit”, tha ai duke shtuar më tej se “gjuha e kërcënimeve nuk ka asnjë vlerë dhe vetëm i ndërlikon gjërat”.
Presidenti amerikan Donald Trump e bëri deklaratën pasi grupi Hamas akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit dhe u kërcënua me shtyrjen e lirimit të tre pengjeve, që sipas armëpushimit, duhet të lirohen të shtunën.
“Sa më përket mua, nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri në orën 12 të së shtunës, mendoj se është koha e duhur, do të thoja, anulojeni dhe le të shpërthejë lufta”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë..
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit muajin e kaluar, grupi Hamas ka liruar 21 pengje dhe Izraeli ka liruar më shumë se 730 të burgosur. Shkëmbimi i radhës të shtunën parashikon lirimin e tre izraelitëve të tjerë në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
(BalkanWeb)
