Kryeministri bavarez, Markus Soder ka bërë thirrje për negociata të menjëhershme me talebanët për fluturimet e dëbimit në Afganistan, pas një sulmi vdekjeprurës nga një shtetas afgan në kryeqytetin e landit jugor gjerman, Mynih.
“Një fluturim nevojitet çdo javë”, tha Soder për edicionin e së dielës të gazetës gjermane ”Bild”.
”Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock dhe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser duhet të flasin drejtpërdrejt me talebanët për fluturimet e dëbimit që nga e hëna”, tha ai.
Një shtetas afgan 24-vjeçar u fut të enjten me një makinë në një demonstrim sindikal në Mynih duke plagosur të paktën 39 persona, disa prej tyre rëndë.
Një grua dhe vajza e saj dyvjeçare vdiqën dje si pasojë e plagëve të marra.
Hetuesit aktualisht supozojnë se sulmi kishte një sfond islamik.
Soder tha se vetëm në landin e Bavarisë janë pothuajse 2 000 afganë të cilëve u kërkohet të largohen nga Gjermania.
”Pothuajse 200 prej tyre janë shkelës të rëndë të ligjit”, shtoi ai.
“Afganët e detyruar të largohen nga vendi duhet ta bëjnë këtë shpejt dhe lëshimi i vizave të reja duhet të ndalet. Fillimisht në Aschaffenburg, tani në Mynih. Mjaft. Mjaft. Gjermanisë i duhet një plan urgjent për Afganistanin”, tha ai, duke iu referuar një sulmi tjetër të kryer nga një shtetas afgan në një qytet tjetër bavarez në janar, i cili la dy persona të vdekur.
Sipas autoriteteve, autori i dyshuar i sulmit në Mynih ishte me banim të ligjshëm në Gjermani.
