Kryeministri Rama, gjatë konferencës kombëtare për arsimin e lartë ku u prezantua Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, u ndal te vizioni për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian. Një prej aspekteve të trajtuara nga kryeministri ishte dhënia e doktoraturave në arsimin e lartë.

“Bëmë një stop për një periudhë kohe të doktoraturave, pasi vinim nga një fazë barbarie për arsimin e lartë. Duket sikur ka qenë 100 vite më parë, por ka qenë vetëm 10 vite më parë, me 18 universitete që ishin biznese”, tha Rama.

“Sot ka probleme, por sidoqoftë sot kemi shumë gjëra të adresuara dhe të vëna në vend dhe është shumë e rëndësishme të jemi shumë realistë me njëri-tjetrin që ne vërtetë i kemi rihapur doktoraturat, por duhet të synojmë doktoratura të niveleve europiane”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të zhvillimit të vendit duhet të thellohet.

“E dyta, besoj shumë që në ato tre pika që u përqendrua edhe Shqiponja, qëndron edhe sfida në fakt që nuk është e shkruar këtu në dokument, por që është arsyeja edhe e vetë dokumentit në një farë mënyre, sepse ndërkohë që me të drejtë kemi folur për shumë vite dhe kemi ndërvepruar për shumë vite lidhur me nevojën e zgjerimit të bazës financiare, kemi zgjeruar bazën dyfish për arsimin e lartë, ndërkohë që kemi pesëfishuar bazën financiare për kërkimin shkencor, flas për buxhetin, përtej atyre që kanë mundur të përfitojnë universitetet. E vërteta është që nga sa mund të vërejmë edhe ne së jashtmi, nuk bëhet një sforco e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademik. Pra, patjetër që ne të gjithë, ju në radhë të parë, ne në mbështetjen tuaj jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por rritja e cilësisë së studentëve kalon medoemos përmes rritjes së cilësisë së stafit akademik”, tha kryeministri.

 (BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb