Partia Demokratike ka vijuar takimin me diasporën, në Reggio Emilia, Itali. Drejtuesi politik PD në Shkodër, Luçiano Boçi u shpreh në takim se Shqipëria ndodhet në ditët e saj të vështira, dhe për ta nxjerrë nga kjo situatë, duhet ndihma e emigrantëve.
Boçi tha se qeveria në pushtet ka tradhtuar interesat e emigrantëve, e jo vetëm.
Luçiano Boçi: Të jesh sot para jush, është thjesht një kënaqësi dhe emocion i veçantë. Ju e dëgjuat dhe respektuan Himnin e Flamurit. Ai këtu tingëllon ndryshe, me më forcë dhe me më shumë tingëllim. Tek ai himn ka më shumë shpresë, më shumë besim, pikërisht në këtë sallë.
Të vish përpara jush, njëherazi është një përgjegjësi shumë e madhe. Përgjegjësi e madhe që e rrethon politikën, na rrethon neve dhe e detyron politikën që ajo të bëhet më reflektive, më e përgjegjshme. Më e mirë, më e ndershme.
Pushteti i sotëm ka tradhtuar interesat tuaja, ka tradhtuar idealet tuaja, ka tradhtuar patriotizmin tuaj, familjet tuaja. Dhe ka tradhtuar fëmijët tanë. Ky është ai pushteti sotëm. Dhe është kjo përgjegjësi që na sjell këtu sot. Ne vijmë këtu, si ai prindi që shkon tek fëmija vet dhe i kërkon me krenari dhe përulje ndihmën për ditë të vështira. Sepse vendi ynë është në ditët e vështira. Ne vijmë si ai vëllai, për t’u kërkuar mbështetjen.
E bëjmë sot me ju si forcë politike. I bëjmë thirrje bashkëatdhetarëve për solidaritet, për ta parë Shqipërinë siç e shihni ju, me sytë e zemrës dhe jo me sytë e xhepit dhe interesit. Politika ka nevojë për shembullin tuaj, sepse ju e impononi politikën. Si e impononi? Me sakrificën, djersën, punën tuaj. Dhe kjo na bën ne që t’ju shohim jo si segment i Shqipërisë që jeton jashtë, jo si një thes votash siç kërkon në fakt ta konsiderojë Edi Rama diasporën.
(BalkanWeb)
