Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka deklaruar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës janë të padiskutueshme.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një takimi në Ankara, Erdogan deklaroi  po ashtu se Turqia është e gatshme që të mbajë bisedimet e ardhshme të paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.

“Ne jemi të gatshëm të mbajmë bisedimet e paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe Rusisë. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës është e padiskutueshme”. theksoi kreu i qeverisë turke.

Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i ftuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite të martën.

Zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë u takuan të martën në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dhe negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë- bisedime që pasqyruan një ndryshim të madh dhe të shpejtë të politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i Dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Wikof u takuan për afro 4 orë e gjysmë me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakovin, ndihmës i lartë i udhëheqësit Vladimir Putin, pas një bisede telefonike javën e kaluar mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb