Në një mesazh në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë Tiranë, ka përsëritur qëndrimin e tij se ndodhet në burg pa akuza dhe i dënuar pa gjyq. Teksa ka vijuar të postojë nga aktivitetet e bashkisë, kryebashkiaku Veliaj u bën thirrje çifteve të reja që kanë fituar në fazën e parë për kredi të butë, që të nxitojnë për të dorëzuar dokumentet për fazën e dytë.

“Programi i kredisë së butë për çiftet e reja dhe familjet e pastreha është një nga projektet që kam më përzemër dhe gjatë këtyre viteve, pasi e rihapëm, kemi ndihmuar plot qytetarë të Tiranës që të blejnë shtëpinë e tyre me ndihmën e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Edhe pse ndodhem i mbyllur në qeli pa akuzë, i dënuar pa gjyq, dua të ftoj çdo qytetar që ka aplikuar gjatë fazës së parë të programit (ku u shpallën fitues 2237 aplikues), që të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë.

Deri më tani, në fazën e dytë, kanë dorëzuar dokumentacionin për kredi të butë shume prej aplikuesve, ndërkohë që ka kohë deri në datën 4 Mars. Çdokush që është shpallur fitues i Fazës së Parë duhet të dorëzojë dokumentacionin e plotë brenda datës 4 Mars (pranë sporteleve të Zyrës së Shërbimeve me një Ndalesë në Rr. e Kavajës), pasi janë plot 1200 kuota në dispozicion. Nxitoni! Përqafime”, shkruan Veliaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb