Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të mërkurën se vendi i tij duhet të fitojë besimin tek Shtetet e Bashkuara, përpara se t’i jepet një zgjidhje luftës trevjeçare të vendit të tij në Ukrainë.
Putin u tha gazetarëve në Shën Petersburg se ishte i kënaqur me rezultatin e bisedimeve të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë të cilat u mbajtën të martën në Arabinë Saudite. Ai shtoi se ato ishin një “hap i parë” drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tensionuara mes Moskës dhe Uashingtonit.
Por ai shtoi se “është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë kriza ukrainase, pa rritur nivelin e besimit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Gjatë një fjalimi televiziv Presidenti Putin tha se do të dëshironte të mbante një takim të nivelit të lartë me Presidentin amerikan Donald Trump”, por që ai të prodhonte rezultate sipas tij, nevojiteshin përgatitje paraprake.
Bisedimet në Riad, të udhëhequra nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, ishin të parat bisedime të rëndësishme mes dy superfuqive, pas më shumë se tre vitesh nga sulmi rus ndaj Ukrainës si dhe përpjekjeve perëndimore të udhëhequra nga Uashingtoni për të armatosur Kievin, me synim zmbrapsjen e sulmit.
