Anëtarja e Kryesisë së PD-së Edit Harxhi, e ftuar në emisionin Open në News 24 foli për bisedimet që po zhvillohen për të pasur paqe në Ukrainë.

Harxhi theksoi se nënpresidenti JD Vance e tha hapur, se Europa ka probleme të deformimit demokratik. Sipas Harxhit, Trump e kishte paralajmëruar këtë situatë. Ajo shtoi se Ukraina duhet të marrë pjesë në bisedime, por BE e ka treguar se edhe kur merr pjesë në bisedime (në rastin e dialogut Kosovë-Serbi) nuk ka pasur sukses.

Edit Harxhi: SHBA dhe Europa janë dorëzuar përballë ekonomisë kineze dhe kjo nis me futjen e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë. Bota ka ndryshuar shumë në 30 vitet e fundit. SHBA dhe Europa kanë pasur një “bjerrje” në kohët e fundit. Trump e kishte paralajmëruar këtë situatë që para se të zgjidhej president. Nuk ishte diçka e beftë për BE, ata e dinin se presidenca e dytë e Trump do ishte ndryshe. JD Vance e tha troç se Europa vuan nga probleme të deformimit demokratik.

Zgjidhja duhet të arrihet duke qenë edhe Ukraina, por nuk e shoh determinante pjesëmarrjen e BE, pasi BE nuk ka zgjidhur dot akoma dialagun mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mendoj se Amerika do largohet nga siguria e Europës, por i jep rëndësi më të madhe të rritjes të PPB të vendeve të NATO-s në fushën e sigurisë. Trump kërkon që edhe vendet e Europës të marrin përgjegjësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb