Në komunikimin e tij të fundit virtual me qytetarët, Kryeministri Edi Rama diskutoi mbi Reformën në Drejtësi, duke theksuar rolin kyç të Partisë Socialiste në inicimin dhe zbatimin e saj.

Ai vlerësoi mbështetjen e madhe të SHBA-së dhe BE-së në këtë proces, por nënvizoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë varet nga vullneti i PS-së.

Rama theksoi se, pa angazhimin e PS-së, reforma nuk do të ishte e mundur, duke përmendur se kundërshtarët politikë kanë qenë të rreshtuar kundër kësaj nisme dhe kanë tentuar ta pengojnë atë.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh: “Pa mbështetjen e aleatëve strategjikë, kjo reformë do të kishte rrugë tjetër dhe do të ishte e pamundur.” Ai gjithashtu theksoi se, falë kësaj reforme, për herë të parë në historinë e vendit, persona të lidhur me pushtetin politik janë nën hetim ose të dënuar nga prokurori dhe gjykata të pavarura, si SPAK dhe GJKKO.

“Po të ishim kundër drejtësisë ne, do ishim këtu pa asgjë nga këto që sheh dhe komenton sikur i ka bërë Amerika. SHBA dhe BE kanë dhënë një mbështetje të madhe në reformën në drejtësi, por pavarësia e institucioneve të drejtësisë varet vetëm nga vullneti i PS. Nëse PS e lëshon këtë llogore e keni parë shumë mirë si janë rreshtuar të tjerët në luftën kundër drejtësisë dhe bombardimit të drejtësisë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb