SHKODËR- Me urdhër të prokurorisë, Drejtori i Tatimeve në Shkodër është arrestuar mesditën e sotme pasi akuzohet se i ka rimbursuar subjektit të nipit të tij 10 mln lekë të reja të TVSH-së në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e Drejtorin Rajonal të Tatimeve, Hysen Hysaj, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Urdhri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të Policisë Vendore, Shkodër. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.
Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H., i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Në rastin konkret, shoqëria “H…” shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga ana e administratës tatimore, rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…” shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: