Kryetari i PD Sali Berisha e ka quajtur keqkuptim akuzën e bërë ditën e djeshme ndaj kryeministrit Edi Rama se ka paguar 150 mijë euro për një artikull të publikuar në New York Times nga gazetari Kenneth P. Vogel.
Në një konferencë për gazetarët, Berisha tha se e gjitha ka qenë një keqkuptim i tij dhe ka menduar se artikulli ishte i sponsorizuar.
“Ishte një keqkuptim i Sali Berishës. Kam menduar se ka qenë një artikull i sponsorizuar. Mediat shesin hapësirë ku t’i mund të shkruash, nuk ka lidhe me redaksinë, ti paguan hapësirën, janë shumë të kushtueshme”, u shpreh ai.
Gazetari i New York Times Kenneth P. Vogel ka reaguar më parë në lidhje me akuzat.
Në një postim në rrjetin social “X” ai shkruan: Sali Berisha, lideri i opozitës shqiptare, duket se po akuzon kryeministrin shqiptar Edi Rama se më pagoi mua (ose @nytimes ) 150 mijë euro për të shkruar një histori mbi punësimin e Chris LaCivita nga partia e Berishës. Akuza e tij është e rreme.
Pjesë nga artikulli:
Chris LaCivita, një strateg republikan që ndihmoi në drejtimin e fushatës së Presidentit Trump, po këshillon një parti opozitare konservatore në Shqipëri të kryesuar nga një politikan i cili është përballur me akuza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit dhe prokurorët në vend.
LaCivita po punon për Partinë Demokratike të Shqipërisë përpara zgjedhjeve parlamentare në maj, kur do të përpiqet të fitojë përballë Partinë Socialiste të krahut të majtë në pushtet.
Në mesazhet me tekst për The New York Times, zoti LaCivita e karakterizoi punën e tij si një zgjatje të ndihmës së tij për zotin Trump.
“Unë po eksportoj MAGA – Bëje Shqipërinë të Madhe përsëri!” ka shkruar Z. LaCivita.
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë është Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër i cili po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronash. Administrata Biden vendosi sanksione ndaj zotit Berisha në vitin 2021 për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit të shtetit Antony J. Blinken, i cili e akuzoi atë për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.
LaCivita argumentoi se akuzat ndaj zotit Berisha ishin të motivuara politikisht dhe sugjeroi që përvoja e politikanit shqiptar të përafrohet me atë të zotit Trump.
