Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se e ndjen veten si nga personazhet e “procesit” të Franz Kafkës.

“Kështu nis “Procesi” i Franc Kafkës, libri kult i absurdit, të cilin mua më ra ta lexoj e ta admiroj aq shumë, sa që fati ma dhuroi, përmes një kllouni si Nesti Violina, që edhe ta jetoj, prapa hekurave!”, shkruan kryebashkiaku.

Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë!
Ja argumentimi i Kafkës tim:
ka marrë leje për një bashkëfshatar, shtëpi njëkatëshe në Yrshek;
ka marrë mbrapsht garancinë e punimeve në Sheshin Skënderbej;
ka marrë pagesë për një nga 7 lotet e pastrimit, kur pastrimin e bënin privatët në Bashkinë e Tiranës.
Kuptuat gjë? Me siguri jo! Po, ama, sipërmarrësi është shtrënguar me masën detyrim paraqitje për këtë poezi hermetike të violinistit dështak, që më tha, “mos kujto se vetëm ju keni haber nga arti, unë kur isha i vogël i bija violinës”!!!

REAGIMI:

Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K. sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë”. Kështu nis “Procesi” i Franc Kafkës, libri kult i absurdit, të cilin mua më ra ta lexoj e ta admiroj aq shumë, sa që fati ma dhuroi, përmes një kllouni si Nesti Violina, që edhe ta jetoj, prapa hekurave! Këtu kemi edhe televizor dhe kështu më bie të shoh edhe sesi “Procesi” im vazhdon të shkruhet në gjirizët mediatikë, nga një grup karnavalesh të bërë bashkë, fut e bjer, duke iu referuar dosjes shumëfaqëshe të idiotësive të Ols Angonit.

Si çdo ditë, ku i privuar nga liria pa gjyq dhe nga mundësia për t’u ballafaquar me karnavalet nëpër gjiriza apo me Kafkën tim (ndjesë të ndjerit Franz, po Olsi është si kafkë e mbështjellë me shollë), po vazhdoj t’ju argëtoj me “dyshimet e arsyeshme” të akt-akuzës absurde. Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë!

Akuzohem se për këto “favore”, ky sipërmarrës i ka dhënë 9 mijë Euro për konsulencë juridike një të njohurës së gruas sime, e cila sipas Ols Violinës meqë njeh gruan time ka bërë korrupsion për mua që nuk e njoh, por që me mendjen e Nesti Dados ia kam dhënë kompanisë, për t’i marrë 9 mijë Euro përmes një të panjohure që njeh gruan time. Natyrisht, Olsi ka të gjithë imbecilitetin dhe malinjitetin ta fantazojë e ta shkruajë në emër të drejtësisë së re këtë skeç satirik në lëkurën time, por nuk ka kokërr prove ama, që ta mbështesë, përveç bindjes së tij absolute që ku ka një grua ka një dyshim të arsyeshëm.

Kuptuat gjë? Me siguri po thoni po flet përçart Lali, por jo, fatkeqësisht këto Lali i ka dëgjuar nga Kafka i tij atë ditë, kur i vajta në audiencën haluçinante, dhe i ka lexuar në dosjen që Kafka i dorëzoi Kasapit dhe Kasapi i vuri vulën e arrestit me burg.

Zotërisë i është dhënë leja për sevapin, haka për punën dhe kusuri për shërbimin. Këto i njeh ligji dhe kodi etik e shoqëror. Ekzaktësisht çfarë nuk njeh Kafka im: Ligjin dhe Kodin Etik, se atë shoqërorin është gjynah t’ia kërkosh një individi të devijuar psiko-emocionalisht, sa nga violina dhe sa nga trampolina.

Si i tillë, ai njeh për “sevap” marrjen përdore për ta bërë nga violinist-noter-ndërtues-zëmarrës-zëdhënës-prokuror-persekutor. Në vend të hakut njeh “hakmarrjen” për katet që s’i takonin kur telefononte me atë zërin si violinë në sordinë “o kryetar, si i bahet me atë lejen time?” dhe si kusur ai kupton shërbimet banale me letra anonime!

Procesi i Kafkës tim vazhdon.

Qofshi me shëndet dhe paçi një ditë të mbarë!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb