Po mbahet seanca në lidhje me “Plumbin e Artë” në Gjykatën e Posaçme. I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve, ku mes të tjerash ka folur edhe mbi marrëdhënien me Talo Çelën.

Ai shprehet se me Talo Çelën kishte miqësi dhe rrinin në shtëpitë e njëri-tjetrit. Ai ka folur edhe për atentatet e planifikuara duke shtuar se “ishin shumë emra për t’u vrarë në Elbasan”.

Pjesë nga dëshmia e Dumanit:

Avokati Qani Hasa: Kur je njohur me Talo Çelën dhe në ç’rrethana?

Dumani: Talon e kam njohur në fund 2009, fillim 2010. E kam njohur nga Ilirjan Feçi.

Hasa: Keni pasur momente të qëndroni në banesën e tij.

Dumani: Po, i kam qenë, por edhe ka qenë tek shtëpia ime. Talo jetonte vetëm në shtëpinë e tij.

Hasa: A kishte vëllezër?

Dumani: Po kishte dy vëllezër.

Hasa: A kishe informacion me lëvizjet e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës?

Dumani: Po, ishte në shërbim të Talos. Kamuflohej si taksixhi.

Hasa: Kur e ke njohur Erion Alibej?

Dumani: Jemi njohur në periudhën janar-shkurt 2020.

Hasa: Çfarë marrëdhënie krijuat?

Dumani: Shoqërore. E kam takuar gjithmonë tek shtëpia e tij.

Hasa: Keni thënë që ai kishte zbuluar ata që i vranë vëllanë dhe se do hakmerrej. Kur e vendosët se do hakmerreshit?

Dumani: Në fillim për Erion Alibeaj më ka vënë në dijeni Elio Bitri, se po interesohej për mua. Jemi takuar disa herë me Bitrin. Më tha që Erion Alibej mendon se ju keni gjuajtur. Unë e mohova, se nuk kisha lidhje. Unë duke qenë i sigurt që nuk kisha lidhje dhe as vëllai kam kërkuar takim. Elio komunikonte me Arjan Spahiun, që nuk ishte në Shqipëri në atë kohë. Më ka kërkuar Elio një natë. Erdhi Elio më mori. Takuam Arjan Spahiun. Më bëri kontroll fizik, pasi do takonim mikun e tij. Me një Mercedes shkuam tek një pallat ku takova Erion Alibeajn.

Hasa: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vëllait të Alibeaj?

Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo t’i vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja.

Hasa: Kur u bë kjo bisedë?

Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.

Hasa: Keni thënë që hartuat një listë?

Dumani: Pasi mësova që Alibeaj po hetonte për Talo Çelën dhe pata një bisedë me Fatmit Troplinin vendosëm që do godisnim ne të Durrësit. Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme.

Franc e Hajdar Çopja nuk ishin aty. Kel Kamami nuk ishte aty.

Hasa: Keni treguar dhe për vrasjet e Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt? Kur e vendosët?

Dumani: Ishte verë 2020. Ishin shumë emra për tu vrarë në Elbasan. Nuk kishim radhë, por kush të dilte para do eleminohej. Emiliano Ramazani u bë i pari.

Në Elbasan unë informacion merrja veç nga Elio Bitri. Emiliano Ramazani shkonte në një palestër në Elbasan. Kishim informacion të brendshëm nga aty. Alibejt i vinin foto herë pas here edhe për Bujar Çelën dhe Emiliano Ramazanin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb