Biznesmeni Sokol Kryeziu është paraqitur në Gjykatës e Posaçme ku do të njihet me masën e sigurisë së marrë ndaj tij. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana lala. Kryeziu është pjesë e dosjes “Veliaj”, ndërsa ndodhet nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. BalkanWeb sjell edhe pamjet kur Kryeziu i drejtohet ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Sokol Kryeziu ka punuar më parë në drejtorinë e gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës. Ndërsa kohët e fundit ai është angazhuar si sipërmarrës duke përfituar edhe fonde publike.

 

Dosja hetimore: Roli i Sokol Kryeziut në çështjen “Veliaj”

Shoqëria ‘Gerard-A’ në vitet 2018-2023 ka fituar 20 procedura tenderimi nga Autoriteti Kontraktor i UKT; Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit apo drejtoria Nr.2 e punëtorëve të qytetit.

Sokol Kryeziu gjatë periudhës Dhjetor 2023- Janar 2024, ku rezulton të jetë pronar i GERARD-A ka blerë disa piktura në Galerinë ‘NAN’ e kontrolluar nga Ajola Xoxa. Blerje të cilat shkojnë në vlerën e 5 milionë lekëve.

Por gjatë kësaj kohe SPAK ka analizuar dhe financimet e Bashkisë së Tiranës, lidhur mbi evente të ndryshme.

Para të cilat thuhet se janë përfituar nga shoqëri apo OJF në pronësi të Ajola Xoxës.

Nga një përllogaritje e afërt bazuar në fondet publike, faturat fiktive dhe shoqëritë e lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me bashkinë Tiranë, përfitimet përmes shoqërisë ‘Partners Laë’, ‘Arts Lab’, ‘Ava Studio’, ‘Byl-A’, ‘Harabel’, ‘Nan Gallery’, ‘Eventus’ dhe ‘Muza’ kapin shifrën e rreth 110 milionë lekë.

Ku nga hetimet rezulton se ka lëvizje parash brenda rrethit të ngushtë familjar të Erion Veliaj.

Si dhe janë disa faturime që Ajola Xoxa i bën kompanisë së kunatit të saj, Arbër Veliaj.

Ku në një rast mes shumë të tjerash, për kryerjen e konsulencës ligjore, Ajola Xoxa i faturon kompanisë ‘Gogël’ në pronësi të kunatit të saj, shumën prej 8 mijë eurosh.

Një bisedë me po kaq interes për grupin hetues është edhe ajo midis Adela Kondakçiut që ka shërbyer si financiere e Ajola Xoxës.

E cila në një moment i kujton kësaj të fundit që ‘Harabel’ nuk duhet të dalë me fitim, për shkak se ligji nuk e lejon.

Ndaj paratë duhet të shpërndahen tek persona të tjerë, përfshirë familjarë, shoqëri të ndryshme, apo edhe persona të lidhur ngushtë me të.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb