Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenksy pritet të takohet sot me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet kritike, ndërsa Kievi përpiqet të rifitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me sulmin në shkallë të gjerë nga Rusia.
Marrëveshja për mineralet, e negociuar përgjatë ditëve të fundit, do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të kosniderueshme tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, por nuk përfshin dhënien e garancive të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zhgënjim për Ukrainën.
Marrëveshja i jep Uashingtonit mundësinë që të kompensojë një pjesë nga miliarda dollarët që ka shpezuar për mbështetjen e Kievit me armatime amerikane, përmes një fondi investimi për rindërtim të lidhur me shitjen e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Ukraina shpreson që marrëveshja do të nxisë Presidentin Trump të mbështesë përpjekjet e Kievit për të rimarrë territoret që aktualisht kontrollohen nga Rusia.
Presidenti Trump është përplasur në distancë me homologun Zelenskyy gjatë javëve të fundit, duke e kritikuar atë për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën, duke e cilësuar atë si një diktator dhe duke i bërë thirrje që të pranojë marrëveshjen për mineralet.
Por i pyetur në lidhje me komentin e diktatorit gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin vizitues britanik Keir Starmer të enjten, Trump tha: “A e thashë këtë? Nuk mund ta besoj që e thashë këtë”.
Trump gjithashtu vuri në dukje se mezi priste të takohej me Zelensky dhe vlerësoi ushtrinë ukrainase për “trimërinë e saj”.
“Ne po punojmë shumë për t’i dhënë fund asaj lufte. Mendoj se kemi bërë shumë përparim dhe mendoj se po ecën shumë shpejt,” tha Trump.
(BalkanWeb)
