Në Gjermani, kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, pas fitores në zgjedhjet parlamentare synon të hyjë në koalicion me socialdemokratët, për të formuar një qeveri të re.
Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje.
Kur nisin negociatat për formimin e qeverisë së re të Gjermanisë?
Përshëndetje. Sot (28.02.) filluan konsultime midis kristjandemokratëve dhe kristjansocialëve CDU/CSU dhe socialdemokratëve, SPD-së. Negociatat, nisin më vonë, vetëm kur në konsultime konstatohet se ka mjaftueshëm pika të përbashkëta për t’i filluar negociatat. Nëntë vetë nga të dyja partitë do të masin tani, në konsultime pulsin për kompromis në temat kryesore.
Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz tha të hënën se në radhë të parë do të diskutohet me SPD për politikën e jashtme dhe të sigurisë; për migrimin dhe më tej për gjendjen ekonomike të vendit. Merzi synon të formojë një qeveri të re deri në mes të prillit.CDU/CSU e ka me ngut. Për të mos humbur kohë është shprehur ideja edhe që negociatat e mëvonshme të përfundojnë me një marrëveshje vetëm për drejtimet kryesore, jo për detajet. Konsultimet nisën më herët nga plani për të mos lejuar të rëndohet edhe më tej atmosfera pas zgjedhjeve mes dy partive.
A mund të flitet për një atmosferë jo të mirë, mes CDU/CSU dhe SPD?
Fushata zgjedhore qe e shkurtër, por e ashpër. U përdorën shprehje që jehojnë deri sot, sidomos te socialdemokratët.
Merzi tha në manifestimin e fundit zgjedhor në Mynih se “ai do të bëjë sërish politikë për shumicën e popullsisë, e cila e ka “mendjen në kokë” dhe jo “për disa të çmendur të gjelbër dhe të majtë, të kësaj bote”. Më vonë Merzi tha se ia kishte drejtuar këto fjalë përfaqësuesve të organizatës radikale të majtë Antifa.
Më tej, ka sjellë reagime një pyetësor me 551 pyetje, për mënyrën e financimit të organizatave jofitimprurëse – që CDU/CSU në Bundestag ia ka dërguar koalicionit aktual qeveritar.
Por edhe një memorandum dërguar kancelarit Scholz, ku Merzi lutet që, prej tani e tutje, Scholzi të mos marrë vendime që ndikojnë punën e qeverisë së re, veçanërisht vendime personeli, shkaktoi reagime.
Nga ana e socialdemokratëve deri në metrat e fundit të fushatës, zgjedhësve u thoshin se CDU/CSU-së tani nuk mund t’i besosh më. Pasi i bashkoi njëherë votat me AfD në Bundestag.
Socialdemokratët vërtet arritën 16,4% në zgjedhje, ndërsa CDU/CSU 28,5%. Por kryetari i socialdemokratëve Lars Klingbeil deklaroi megjithatë se “nuk është e sigurtë që SPD do të hyjë në qeveri”.
Sa të mëdha janë gjasat që këto dy parti të mos merren vesh e të mos nisin fare negociata?
Mendoj se negociatat nuk rrezikohen vërtet, por duhet të ndreqet atmosfera. Të dyja partitë kanë theksuar se janë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë që kanë. Ose se janë “të dënuara” të kenë sukses, si thonë në Gjermani. Konsultohen parti të qendrës së djathtë me një parti të qendrës së majtë.
Merzi i përjashtoi që para zgjedhjeve koalicionet: si me AfD, parti pjesërisht ekstremiste e djathtë, që doli e dyta, me 20.8 përqind; ashtu edhe me partinë E Majta, me pjesë ultra të majtë, që arriti 8,8%.
Partneri tradicional i CDU-së, FDP liberale mbeti jashtë parlamentit, pasi arriti vetëm 4,3 përqind. Jashtë mbeti edhe Aleanca Sahra Wagenknecht, që arriti vetëm 4,97%.
Çfarë tërheq më shumë vëmendjen nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare?
Është mirë për Gjermaninë dhe Evropën që janë parti të qendrës që do të formojnë sërish qeverinë. Qoftë edhe me një shumicë jo më të madhe se 52 përqind.
CDU/CSU e ka drejtuar Gjermaninë për gati 50 vjet, nga 80 vitet pas Luftës së Dytë botërore. Tani arriti rezultatin e dytë të ulët historik. Kurse SPD doli, për herë të parë, në 135 vitet e ekzistencës së saj, e treta në zgjedhje.
Fituese të mëdha të këtyre zgjedhjeve janë partitë e skajeve. Harta e preferencave politike të Gjermanisë i ka ndryshuar gati tërësisht ngjyrat, krahasuar me tri vjet e gjysëm më parë: mbizotëron ngjyra e zezë, e partive konservatore CDU/CSU. Dhe thuajse në gjithë Gjermaninë lindore, ngjyra blu e çelët, e Afd-së.
AfD-ja e dyfishoi mbështetjen nga zgjedhjet e kaluara. Por edhe partia E Majta, që rrezikohej të dilte nga parlamenti pati rritje të papritur. Këto parti, por sidomos AfD-ja, janë fituese të qarta kryesisht në lindje të Gjermanisë. Për AfD-në votën e dhanë shumë njerëz, por kryesisht të rinjtë, pastaj punëtorët e të papunët. Kjo edhe në Perëndim. Socialdemokratët e humbën cilësimin si parti e punëtorëve.
Cilat kanë qenë veprimet e para të Friedrih Merzit, kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë këtë javë?
Ka pasur disa deklarata e veprime. Të hënën, pra një ditë pas zgjedhjeve, Merz tha se “Bundeswehri, forcat e armatosura gjermane, do të kenë nevojë për shumë më tepër para vitet e ardhshme”. Në fakt, këto para për investime duhen marrë borxh: ose duke ndryshuar kushtetutën, që ka një frenë kufizuese për borxhe të reja, ose duke ngritur një fond të ri të posacëm. CDU/CSU dhe SPD kanë vetëm 413 nga 630 deputetët e Bundestagut, pra nuk kanë dy të tretat e nevojshme. Prandaj Merzi shprehu idenë se mund ta arrijë synimin me Bundestagun e vjetër, ku shumica ende krijohet edhe me Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së. Bundestagu i vjetër është funksionues edhe për më shumë se tre javë. Në medie qarkulloi shuma për një fond të ri special për mbrojtjen, prej 200 miliardë eurosh.
Po në politikën e jashtme?
Tërheq vëmendjen edhe një deklaratë e Merzit për SHBA. Të dielën, mbrëmjen e zgjedhjeve ai deklaroi në televizion se për të ka prioritet absolut që ta forcojë Evropën në atë masë “që hap pas hapi të arrijmë vërtet pavarësi nga SHBA”. Pavarësisht nga kjo, të hënën Merzi tha se “do të bëjë gjithçka”, për ta ruajtur raportin transatlantik. Një shkatërrim do të ishte “jo vetëm në dëm të Evropës, por edhe të SHBA”.
Dihet se Evropa varet për sigurinë e saj nga SHBA. Ç’pritet të bëjë Gjermania për të nxitur një pavarësi nga SHBA?
Fillimisht duhet thënë se shkëputja apo pavarësia nga SHBA nuk është opsion i preferuar i Merzit. Por nga një atlantist i bindur si ai, kjo shprehet përballë pasigurisë së Evropës me administratën aktuale në SHBA.
Disa vëzhgues të huaj thonë se është qetësuese, një qartësi e tillë, për realitetet e reja gjeopolitike, nga një kancelar i ardhshëm gjerman. Gjermania mund të mobilizojë forca dhe mjete për veten dhe në Evropë.
“Ne si Gjermani duhet të marrim sërish një rol drejtues në Evropë, jo nga lart, por me Francën, me Poloninë, me një BE të fortë”, u shpreh në fushatën zgjedhore sekretari i përgjithshëm i CDU, Carsten Linemann. Kjo shpjegon edhe faktin, që vizitën e parë joformale Merzi e bëri që këtë javë në Paris.
(BalkanWeb)
