Kryetari i Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule, i ftuar në emisionin “Log” në News24, ka akuzuar qeverinë se ka angazhuar në Greqi 200 punonjës administrate nga bashkitë që qeverisen prej socialistëve për të regjistruar dhe marrë të dhënat personale të emigrantëve.
Dule tha se ka kërkuar të ngrihet komision hetimor për të hetuar paligjshmërinë e lëvizjes jashtë shtetit të punonjësve të administratës dhe mënyrën e takimeve që kanë organizuar në kuadër të Votës së Diasporës, jo vetëm në Greqi, por dhe në Itali e SHBA.
Vangjel Dule: Nuk ka bashki nga të zgjedhurit e PS që nuk ka dërguar për javë të tëra me listat e gjendjes civile që trokasin derë më derë në shtëpitë e emigrantëve.
Propozova të ngrihet komision hetimor, punonjësit ikin pa leje jashtë shtetit, ata duhet të japin llogari. Nuk bëjnë thjesht regjistrim, por mbajnë regjistra të të dhënavë personale në mënyrë të paligjshme, madje u thonë që fletën e votimit ta plotësojnë në zyrën e administruar nga përfaqësues të PS.
Sot që po flasim janë mbi 200 të tillë, e njëjta gjë ndodh në Itali, Amerikë, Kanada.
