Kanadaja vendosi sanksione të reja kundër 10 individëve rusë dhe 21 subjekteve, përfshirë grupet paraushtarake.
Sanksionet u njoftuan nga Zyra e Kryeministrit Justin Trudeau, pas pjesëmarrjes së tij në të njëjtën ditë në samitin e liderëve evropianë në Londër.
Sanksionet e reja të Kanadasë synojnë liderët e organizatave paraushtarake post- Wagner, një zyrtar të lartë ushtarak rus dhe disa grupe që veprojnë në Ukrainë dhe Afrikë, si dhe entitete të përfshira në nxjerrjen e burimeve brenda këtyre rrjeteve.
“Deri më sot, Kanadaja ka vendosur sanksione ndaj mbi 3,000 individëve dhe subjekteve bashkëpunëtorë në agresionin e Rusisë – dhe ne mbetemi të përkushtuar të punojmë me partnerët tanë për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë”, thuhet në deklaratë. “Angazhimi i Kanadasë ndaj Ukrainës është i palëkundur.”
Samiti përfshinte liderë dhe përfaqësues të lartë të 15 vendeve, të ftuar nga kryeministri britanik Keir Starmer për të diskutuar një rrugë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë përballë luftës së Rusisë.
Zelensky mbërriti në Londër pas udhëtimit të tij në SHBA. Udhëheqësi i Ukrainës u largua nga Uashingtoni pa nënshkruar marrëveshjen e shumëpritur të burimeve natyrore pas një grindjeje publike me presidentin amerikan Donald Trump, duke shkaktuar tronditje dhe shqetësime për të ardhmen e lidhjeve SHBA-Ukrainë.
(A.A/BalkanWeb
