“Tërheqje muskulore në kofshën e djathtë”. Kjo është përgjigjja e analizave të cilat iu nënshtrua Federico Dimarco, një dëmtim që pritet të mbajë jashtë fushës së lojës anësorin zikaltër për të paktën 3 javë. Situata bëhet shqetësuese pasi për sfidën kundër Feyenoord, Inzaghi duhet të bëjë llogaritë edhe pa Darmian, Carlos Augusto dhe Zalewski, duke bërë që krahu i majtë të jetë totalisht i zbuluar.
Duke u rikthyer te Dimarco, anësori nuk do të jetë në dispozicion për dy sfidat në Champions, do të mungojë kundër Verona-s dhe Atalantas. Me shumë mundësi, Dimarco pritet të rikthehet pas pauzës së kombëtares.
Në kushte të tilla, Simone Inzaghi është përpara dy zgjedhjeve, të ndryshojë skemë, të kalojë në 4-4-2, ose të qëndrojë në 3-5-2 dhe të bëjë disa modifikime. Me shumë mundësi, Inzaghi do t’i qëndrojë besnik skemës se tij të preferuar duke bërë që Dumfries të kalojë në krahun e majtë, ndërsa në të djathtë të luajë nga minuta e parë Pavard.
Me këtë lëvizje, Inzaghi garanton që pjesa tjetër e formacionit nuk ndryshon. Në mesfushë nga minuta e parë do të zbres treshja Mkhitaryan, Calhanoglu dhe Barella. Nuk ndryshon as dyshja e sulmit me Lautaro dhe Thuram nga minuta e parë. Inter kërkon të marrë një rezultat pozitiv në Holandë për të mbyllur më pas kualifikimin në “San Siro”.
(BalkanWeb)
