Në prani të forcave të policisë, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi këtë të martë shembjen e disa godinave në Tragjas, për t’i hapur udhë ndërtimit të ujësjellësit, duke shkaktuar revoltë te banorët e fshatit.

Aksioni për shembjen e godinave në vendin ku do ndërtohet ujësjellësi, u shoqërua me përplasje fizike mes banorëve të Tragjasit dhe Policisë.

Projekti për ujësjellësin ka shkaktuar zemërim te banorët e Tragjasit, pasi ata e shohin këtë si një pasiguri për furnizimin e tyre me ujë të pijshëm.

 

Është e disata herë që banorët e Tragjasit protestojnë kundër ndërtimit të këtij ujësjellësi, nga zbatimi i së cilit sic thonë, devijohet rrjedha e Lumit, gjë që ndikon në furnizimin e tyre me ujë.

Banorët thonë se nuk është bërë asnjë konsultim publik me ta për ndërtimin e ujësjellësit, dhe kanë kërkuar disa herë të jenë prezentë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Himarës, por kërkesa e tyre është refuzuar.

“Ne protestojmë, jemi në shtëpinë dhe në tokën tonë. Nëse shteti dhe qeveria ta ketë të qartë se ujin e Tragjasit nuk e merr dot. As na kanë pyetur as në kanë dëgjuar. Vijnë në një mënyrë që nuk ka… kur fshati ishte në gjumë vijnë 300 forca policie sikur ka ndodhur hataja. Kjo qeveri dhe ajo që do të vijë ta kenë të qartë, ujin e Tragjasit e marrin vetëm kur të shuajnë të gjithë fshatin”, thotë një nga protestuesit.

“Uji këtu është në sasi shumë të vogla. Nuk do t’i lejojmë sepse uji është jetik për ne. Kryetari i bashkisë vetëm na ka dëgjuar por nuk ka kthyer përgjigje. Uji është në sasi të vogla dhe nuk na del as ne”, shprehet një tjetër

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb