Vllaznia-Partizani do të jetë padyshim një prej sfidave më interesante e njëkohësisht më të forta të javës së parë të fazës së 4 e të fundit në Superiore.
Të dyja skuadrat vijnë në gjendje të ndryshme, me Partizanin që ndodhet në vështirësi pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa me Vllazninë që tenton kreun e renditjes.
Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes me Partizanin. Fillimisht Brdariç tha ndër të tjera se tre ekipet e para janë shkëputur dhe ato do të luftojnë për dy vendet që gëzojnë avantazh në “Final Four”, ndërsa i shikon të kuqtë për momentin jashtë kësaj gare.
“Kjo situatë do të shkojë deri në fund, e shikoni që 3 ekipet e para janë shkëputur më tepër. Do të jetë deri në fund të sezonit për vendin e dytë apo të parë, por kryesorja nuk është ajo, por si ekipi do të luajë me topin dhe pa topin. Ndeshen 4 ekipet e “Final Four”, do jetë vendimtare për në vazhdimësi, por ne shohim veten tonë”.
Më pas tekniku kroat u ndal të fliste për kundërshtarin e radhës, Partizanin, me Brdariç që nuk I zë shumë besë momentit negative të “Demave”:
“Nesër është ndeshje e madhe kundër Partizanit, duhet të jemi sa më të përgatitur. Çfarë duhet të shohim nga ndeshja e fundit, nga minuta e parë të jemi sa më të qartë si duam të luajmë dhe të vëmendshëm. Nesër luajmë para tifozëve tonë dhe objketivi është vetëm fitorja. Ta dimë ku janë anët e forta të Partizanit dhe pikët e dobëta, që t’i përballojmë në mënyrë sa më profesionale.
Momenti i keq i Partizanit? Duhet ta marrim këtë moment në avantazhin tonë. Partizani kurrë nuk duhet të nënvlerësohet, ekip i madh me mjaft cilësi. Ndryshuan trajnerin, patën probleme për të zgjidhur dhe duhet të përdorim mundësitë, të shënojmë, të mbajmë portën e paprekur dhe të marrim pikë nesër”.
