U zhvillua në Korçë ceremonia e hapjes së Olimpiadës XIX Ballkanike Studentore të Matematikës (SEEMOUS 2025), e cila zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole u uroi mirëseardhjen në olimpiadë, 111 studentëve që vijnë nga 27 universitete, prej 6 shteteve të ndryshme (Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Turkmenistani).
I pranishëm në këtë aktivitet me ftesë të rektorit Lorenc Ekonomi, prefekti shprehu falenderim e mirënjohje për MASSEE (Mathematical Society of South Eastern Europe), e cila i dha të drejtën Universitetit “Fan S. Noli” dhe Shoqatës Shqiptare të Matematikës për organizimin e kësaj olimpiade ndërkombëtare.
“Kjo është një tjetër arritje për Universitetin tonë dhe një mundësi e shkëlqyer për të nxitur një ndërveprimin akoma më aktiv mes universiteteve të vendeve të ndryshme brenda Ballkanit e më gjerë, në vazhdën e përpjekjeve cilësore që rektori dhe i gjithë stafi i këtij universiteti janë duke bërë, për të shëndoshur reputacionin kombëtar e ndërkombëtar të këtij institucioni të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit të Korçës”, shkruan prefekti Jole, në një postim në rrjetet sociale.
Jole u uroi suksese studentëve në këtë olimpiadë matematike dhe qëndrim sa më të bukur në Korçë. Gjithashtu përgëzoi profesor Artur Adilin për kontributin dhe angazhimin e palodhur në organizimin e këtij aktiviteti fantastik.
