TIRANE
Ndotja që shkaktohet nga punimet e impiantit të prodhimit të asfaltit nga firma “Gjoka Konstruksion” ka çuar në përplasje mes banorëve të Zall Dajtit dhe specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit, teksa këta të fundit shkuan për dëgjuar pretendimet e palëve dhe për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit.
Të revoltuar banorët kërkuan pezullimin e punimeve nga impianti i prodhimit të asfaltit, duke argumentuar se gazrat dhe tymrat që emetohen në ajër po dëmtojnë shëndetin e tyre.
Banorët thonë se me ndërtimin e këtij impianti është bllokuar edhe rruga, duke izoluar një pjesë të fshatit.
Impianti i prodhimit të asfaltit është ndërtuar nga firma Gjoka Konstruksion pranë Parkut Kombëtar të Dajtit, ndërsa banorët paralajmërojnë se nuk do t’i ndalin protestat derisa fabrika të mbyllet.
