Sëmundja kronike e mushkërive e Princeshës Mette-Marit, gruaja e Princit të Kurorës Haakon, është përkeqësuar, një zhvillim që mund ta detyrojë atë të kufizojë aktivitetet e përfaqësimit që ka ndërmarrë, njoftoi sot Pallati në Oslo.

Princesha 51-vjeçare njoftoi në tetor 2018 se ishte diagnostikuar me një formë të rrallë të fibrozës pulmonare, një sëmundje e pashërueshme që shkakton probleme në mushkërite dhe gulçim.

Kjo sëmundje tashmë e ka detyruar atë të lehtësojë orarin e saj ose të anulojë vazhdimisht detyrimet e saj.

“Princesha e Kurorës vuan çdo ditë nga simptoma dhe çrregullime që e pengojnë atë të përmbushë detyrat e saj”, tha Pallati në një buletin shëndetësor.

“Princesha e Kurorës ka nevojë për më shumë pushim dhe gjendja e saj po përparon më shpejt se më parë.” “Kjo do të thotë se mund të ketë ndryshime më të shpeshta në orarin e saj zyrtar”, shpjeguan ata.

Në shtator 2023 dhe tetor 2024, Mette-Marit mori pushim mjekësor për disa javë, duke anuluar angazhimet e saj publike.

“Kur mbush 50 vjeç, kupton që jeta nuk është e përjetshme”, tha ajo për gazetën norvegjeze DN në një intervistë të botuar në gusht 2023, me rastin e ditëlindjes së saj të 50-të.

Mette-Marit ka dominuar titujt e gazetave norvegjeze muajt e fundit kur 28-vjeçari Marius – djali i saj nga një lidhje që kishte para martesës me princin e kurorës – u akuzua për agresion dhe abuzim seksual ndaj grave me të cilat ai kishte pasur më parë lidhje dashurie.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb