Kryeministri Edi Rama , në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u ndal në zgjedhjet e 11 majit dhe atë që ka për të ofruar PS.

Ai e quajti Partinë Socialiste si forcën politike që kombinon eksperiencën e gjatë dhe energjinë e re. Ai ka nënvizuar se vetëm PS ka kapacitetin për të udhëhequr vendin, duke ofruar një mundësi të re për shqiptarët për të zgjedhur një forcë politike të rinovuar, e cila ka të rinj të aftë për t’i përfaqësuar ata në Kuvend.

Sipas tij, votimi për PS nuk është vetëm një mundësi për ndryshim, por edhe për të pasur një përfaqësim të ri dhe të freskët në politikën shqiptare.

“Në këto zgjedhje duhet t’i japim shqiptarëve partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të renë në energji, nuk ka parti që mund të bëjë 1/100 e asaj që bëjmë ne sepse nuk mjafton të mbash një altoparlant dhe të protestosh për gjysmë të vërteta që në thelb janë gënjeshtrat më të mëdha për të marrë përgjegjësi qeverisëse. Sot them çfarë kurajojë e paimagjinueshme të jesh pa eksperiencë e të duash të udhëheqësh vendin, kur kujtoj veten time para shumë vitesh. Sot kemi eksperiencë, kapacitet për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin një parti të re, më të renë e të gjitha të rejave që ndodhen në territor. Duke votuar një parti tjetër sikur të bjerë zari 3 herë te 60a mund të kapësh një deputet të ri. Duke votuar PS mund të përfaqësohesh nga deputetë të rinj”, tha ai.

Më parë kreu i qeverisë u ndal edhe tek situata gjeopolitike, NATO dhe BE.

“NATO, lëkundje e madhe tektonike në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeopolitika botërore.

Ne jemi shumë të vegjël, për të vendosur, por fati ynë dhe interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur. Në këto momente qoftë sa i përket BE he NATO-s, zëri dhe prania jonë, dhe siguria jonë e brendshme pra pozicioni i vendosur stabël e i pa lëkundur nga kua kuatë që nuk jehojnë dot jashtë perimetrit të kënetës, është themelor”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb