Kryedemokrati Sali Berisha ka treguar sot detaje nga organizimi i protestës së 15 marsit e thirrur prej tij disa ditë më parë. Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Berisha tha se protesta do të jetë kundër mbylljes së TikTok, ndërsa e konsideroi vendimin e qeverisë si akt censure.
Berisha tha se protesta është mirëpritur nga nxënësit, studentët dhe të rinjtë.
Vendimin e qeverisë për të mbyllur në Shqipëri platformën për 12 muaj, Berisha e konsideron si përpjekje të kryeministrit Edi Rama për t’i mohuar lirinë e fjalës të rinjve që e kritikojnë atë.
Sali Berisha: Protesta kundër censurës po afron. Është një protestë që është mirëpritur jashtë mase nga nxënësit, studentët dhe të rinjtë, jashtë mase! Ata, e konsiderojnë censurën një akt brutal direkt kundër tyre. Pra, qendrimi ndaj Tik Tokut është një qendrim censure. Sepse, nuk e mohoj që smartfoni ka një ndikim tek të rinjtë dhe te fëmijët, në kuptimin e konsumimit të kohës më shumë se sa duhet. Por, nuk është Tik Toku si i tillë. Jo!
Të gjithë, ata që kanë fëmijë e dinë se fëmija edhe pa dalë aplikacioni i Tik Tokut, preferonte të navigonte, lundronte në smartfon në google e këto të tjera. Pra, është një akt hakmarrës i Edi Ramës ndaj kritikave që i bëjnë të rinjtë. Se ta keni një gjë parasysh. I riu, për definicion, nuk mund ta ketë kurrë arrogancën. Kjo ështëa rsyeja që të rinjtë nuk e pëlqejnë Edi Ramën. Nuk e pëlqejnë, nuk e duan, jo. Arrogant thonë. Dhe, pikërisht për këtë arsye ai mbyll Tik Tokun, se atë e kritikojnë, e ironizojnë, e tallin në Tik Tok.
Pra, është një akt censure e tmerrshme, nuk pajtohet njeri me këtë gjë. Kështu që, do jetë një protestë kundër censurës, natyrisht e lidhur me mbylljen e Tik Tokut.
(BalkanWeb)
