Pas fjalës së tij në Parlament, Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat jashtë Kuvendit, ku ka folur për përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha ka shpjeguar se do të fillojnë konsultimet me drejtuesit politikë të partisë për listat e kandidatëve, dhe pas këtyre konsultimeve, do të mblidhet kryesia e PD-së për të hartuar përfundimisht listën.

Ai theksoi se ky do të jetë një proces “më transparent” se kurrë, duke pasur parasysh se do të pasqyrojë vullnetin e anëtarësisë së PD-së, me disa modifikime të domosdoshme për përfaqësimin e grave, të rinjve dhe për disa përfaqësime të mundshme të komuniteteve të tjera.

Berisha theksoi se nëse gjatë procesit do të konstatohet ndonjë mangësi serioze në përfaqësimin e komuniteteve, do të ndërhyhet për të garantuar që të gjithë grupet të jenë të përfaqësuara si duhet.

Prononcimi per gazetaret:

Të gjithë besimtarëve myslimanë që agjërojnë sot Ramazanin, ua pranoftë dhe sakrificën e tyre t’ua ngushëllojë në mirësi për veten, familjen dhe shoqërinë shqiptare.

Tani, më thatë ju që ai ka zgjedhur Kuranin, shumë e njohur. Po të lexosh atje do të dëgjosh edhe këtë që: ‘Ndodh thotë Kurani, që libri i shenjtë bie edhe në duart e djallit. Por kjo nuk do të thotë se djalli bëhet besimtar as dhe se Kurani turpërohet apo ndodh gjë me të’.

Kështu që ai të mbajë çdo gjë, ai mbetet siç është, një kriminel i vërtetë, një bashkëpunëtor i disa bandave, një njeri i implikuar në shumë lloj krimesh.

Pyetje: Zoti Berisha, kthehemi tek muaji i shenjtë i Ramazanit. Kryebashkiaku i Tiranës, Zoti Erion Veliaj ka thënë që ka nisur të agjërojë Ramazanin. Taulant Balla sapo recitoi vargjet e Kuranit. Çfarë tregon kjo për socialistët që i janë rikthyer Allahut dhe janë penduar ndoshta për ato që kanë bërë?
Sali Berisha:
Në qoftë se, është e vërtetë që i është rikthyer agjërimit, edhe për atë them Zoti ja pranoftë, por i them gjithashtu se të gjitha vjedhjet e tij t’ua kthejë të varfërve, t’i dorëzojë, ti japë atyre që ia ka marrë në mënyrë që të pastrojë shpirtin por e agjërimin, sepse edhe në doktrinën e Islamit edhe një moment po të kujtohesh e t’i lutesh Zotit të të pranojë ai, është mëshirëplotë dhe të pranon.

Pyetje: Kur mblidhet kryesia e PD dhe, sipas informacioneve tona ka nisur edhe konsultimet edhe me drejtuesit politikë për listat. A është e vërtetë?
Sali Berisha: Do nisim konsultimet me drejtuesit politikë për listat. Drejtuesit politikë kanë patur, janë ata që kanë drejtuar procesin në të gjitha qarqet. Do nisim konsultimet dhe pas konsultimeve me drejtuesit politikë do mblidhet kryesia, do hartojë listën. Ju e dini që tani ka qenë procesi më transparent i bërë në historinë e këtij vendi. Ajo listë do të pasqyrojë padiskutim vullnetin e anëtarësisë së PD, me ndërhyrjet, me modifikimet e domosdoshme për zonjat, për të rinjtë dhe me ndonjë rast me përfaqësimet e komuniteteve. Në qoftë se ka defekte serioze në përfaqësim komunitetesh, do ndërhyhet.

Pyetje: Vetë Sali Berisha, do të preferonit të ishit në listë të mbyllur apo në listë të hapur.
Sali Berisha: Sali Berisha nuk ndjek kurrë Edi Ramën. Është Edi Rama ai që po më ndjek deri sa thyen qafën.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb