Dy turiste kroate rrezikuan të mbyten mbrëmjen e së hënës në ujërat e Velipojës, ndërsa kishin dalë me një mjet të vogël të lundronin, por u shpëtuan falë ndërhyrjes ë kohë të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me atë malazeze.
Policia e Shkodrës njofton njoftimi ka ardhur në polici nga një shtetas francez i cili notonte në det dhe ka pikasur mjetin me dy zonjat që po iknin si pasojë e dallgëve drejt thellësisë.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi francez B. D., i cili kishte dalë me not në breg të detit në Pulaj, Plazh Velipojë, kishte parë se 2 gra turiste rrezikoheshin të mbyteshin si pasojë e dallgëve në det.
Me ndihmën e Policisë Malazeze u ndërhy menjëherë me helikopter dhe një mjet lundrues, duke bërë të mundur nxjerrjen nga deti dy turistet kroate, të cilat janë dërguar për ndihmë mjekësore në Ulqin, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin për mediat të policisë së Shkodrës.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, pas marrjes së njoftimit nga shtetasi francez B. D., i cili kishte dalë me not në breg të detit në Pulaj, Plazh Velipojë, i cili kërkonte ndihmë për dy turiste nga Kroacia, shtetaset I. K., dhe I. Sh., të cilat si pasojë e dallgëve të shumta, lundra me të cilën lundronin po largohej drejt thellësisë dhe për këtë shkak u rrezikohej seriozisht jeta.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Postën Kufitare Velipojë dhe me ndihmën e Policisë Malazeze të cilët ndërhynë menjëherë me helikopter dhe një mjet lundrues, bënë të mundur nxjerrjen nga deti me një mjet lundrues të Policisë malazeze të dy turisteve kroate, të cilat po dërgohen për ndihmë mjekësore në Ulqin, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin falënderojnë Policinë malazeze për reagimin në kohë dhe ndihmën për lokalizimin dhe shpëtimin e dy turisteve.

(Balkan Web)
