Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç doli në konferencë para ndeshjes ndaj Teutës.

“E kam thënë që në fillim kur erdha tek Elbasani, se ne gjithmonë mendojmë për të fituar. Do bëjmë maksimumin për pikët, të luajmë mirë. Pas ndeshjes mund të flasim më shumë pastaj.

“Nuk hyjmë në fushë për barazim. Por, gjithnjë duhet të shohim sesi shkon ndeshja, sepse është e gjitha e hapur. Ne do luftojmë për maksimumin, pastaj se çfarë do të marrim do të shohim”, vijoi më tej kreu i pankinës elbasanase.

MUNGESAT – Siç dihet, verdheblutë kanë pasur shumë mungesa për arsye dëmtimesh këtë fazë të kampionatit, duke bërë të rëndohen jo pak. Megjithatë, tekniku nuk kërkon të bëjë alibi, edhe pse kuptohet që në njëfarë mënyre ato kanë ndikimin e vet në rezultat.

“Kemi pesë mungesa, por nuk dua të flas shumë, sepse kam lojtarë të mirë për momentin. Jemi gati, edhe pse ndoshta është një minus i vogël. Do shohim dhe provojmë për të gjetur një skuadër optimale për këtë ndeshje”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i skuadrës së Elbasanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb