Kryebashkiaku socialist i Matit, Agron Malaj ka dhënë dorëheqjen. BalkanWeb mëson se Këshilli Bashkiak i Matit ka njoftuar mbledhje të jashtëzakonshme ditën e mërkurë në orën 10.00, për të pranuar dorëheqjen e Malajt.
Sipas njoftimit të bërë publik, Këshilli Bashkiak do t’i kalojë detyrat zv/kryetarit të bashkisë, i cili do të zgjidhet nesër me votim. Ushtrimi i funksoneve nga ana e zv/kryetarit do të vijojë deri në zgjedhjet e reja bashkiake në muajt në vijim.

Motivet e dorëheqjes ende nuk janë bërë publike, por mësohet se Malaj do të kandidojë për deputet në listat e PS të Qarkut Dibër, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Malaj pritet të jetë një prej kandidatëve të PS në listën e hapur të Dibrës.
Agron Malaj u votua kryetar bashkiake në 30 qershor 2019 kur opozita bojkotoi procesin dhe në zgjedhjet e 14 majit 2023 u konfirmua për një mandat të dytë.
(BalkanWeb)
