Gjyqtari i Apelit të Posaçëm Engert Pëllumbi do të vendosë nesër për fatin e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, të arrestuar nga SPAK prej datës 10 shkurt, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Gazetarja Klodiana Lala tha sot se pozitat e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon lirinë në Apelin e GJKKO-së, mund të rëndohen me paraqitjen e provave të reja ndaj tij.
Lala shtoi se fakti që SPAK ka sjellë prova të reja e rëndon deri diku pozitën e Veliajt, i cili ka diskutuar deri më tani mbi bazën e provave që kanë patur në dispozicion.
Veliaj kundërshton masën e sigurisë, pasi argumenton se nuk ekzistojnë kushte dhe kritere që të prishë provat.
“Veliaj kundërshton masën e sigurisë duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushte dhe kritere të prishë provat dhe do të ndihet i lirë për të shkuar në punë. Fakti që SPAK ka sjellë prova të reja, kjo mesa duket e rëndon deri diku pozitën e Veliajt, i cili ka diskutuar deri më tani mbi bazën e provave që kanë patur në dispozicion”,-tha Lala.
Avokatët e Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani kërkuan kohë për t’u njohur me provat e reja, të paraqitura nga prokurorët e SPAK.
(BalkanWeb)
