E marta në mbrëmje na mësoi edhe 4 skuadrat e para që kalojnë në fazën çerekfinale. PSG, Bayern, Inter dhe Barcelona tashmë ndodhen mes 8 më të mirave të Champions League. Por jo vetëm kaq, pas ndeshjeve të zhvilluara të martën, kemi një tablo më të qartë edhe të rrugëtimit për më tej të tyre.
Kështu ka marrë formë krahu i djathtë i tabelës, me çiftin e parë çerekfinalist që do të jetë Bayern Inter. Një rikthim i finales së 2010, si dhe i duelit një vit më pas, ku në të dyja herët ishin zikaltrit që dolën triumfues. Po në krahun e djathtë Barcelona pret njërën nga Lillë apo Dortmund, me katalanasit që janë favoritë për të shkuar më tej në gjysmëfinale. Aty ku pritet më pas një duel i jashtëzakonshëm: një përsëritje e gjysmëfinales së 2010 me sInterit e Barcelonës, apo një finale e parakohshme mes Bayern e Barcelonës, që vitet e fundit i kanë dhënë tonin futbollit evropian.
Në krahun tjetër vetëm PSG është skuadra e parë e kualifikuar. Kampionët francezë do të sfidojnë njërën prej Aston Villës apo Brugge, me ekipin e Unai Emery që është favorit, pas suksesit 1-3 në ndeshjen e parë në Belgjikë. Ndërkohë Arsenal e ka thjesht një formalitet kalimin e turit, teksa ka mposhtur në Eindhoven PSV 1 me 7 në ndeshjen e parë. “Topçinjtë” do të kenë një duel të zjarrtë në çerekfinale, pasi presin njërën prej skuadrave madrilene, Real apo Atletico. Me kualifikimin që do të vendoset vetëm të mërkurën në Wanda Metropolitano, teksa Real do të vijë me avantazhin e ndeshjes së parë 2-1.
Pas 4 sfidave të së mërkurës, tabela e rrugëtimit drejt finales së Mynihut, që do të zhvillohet më 31 Maj do të jetë e kompletuar.
