Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e listës së hapur të PD për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Durrësit. Në një postim në Facebook, Ulliri u shpreh me pasion për angazhimin e saj dhe për sfidat që ka kaluar së bashku me demokratët e qarkut të Durrësit.

“Të dashur demokratë dhe qytetarë të Qarkut Durrës, Jam e nderuar të shpall rikandidimin tim për zgjedhjet e 11 Majit në listën e Partisë Demokratike,” shkruan Ulliri.

Ajo theksoi sfidat e shumta që janë përballuar gjatë kohës së kaluar, duke përmendur protestat e njohura si ajo në Thumanë-Kashar dhe në Rinas. Ajo e cilësoi këto protesta si dëshmi të forcës dhe angazhimit të PD-së për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Ulliri theksoi se kandidimi i saj në listën e hapur është një mesazh i qartë për të gjithë shqiptarët: “Ne jemi më të fortë se kurrë dhe të vendosur për të garantuar zgjedhje të ndershme, të lira dhe paqësore.”

Deputetja u premtoi qytetarëve të Durrësit dhe të zonave përreth, si Kruja dhe Fushë-Kruja, se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të sigurojë përfaqësim dinjitoz në Kuvend. “Shqipëria do të jetë madhështore!” përfundon ajo, duke shprehur besimin për një fitorë të shumëpritur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb