Partia Demokratike ka prezantuar projektet në transportin rrugor, pas 11 majit, nëse fiton zgjedhjet.

Kreu i PD, Sali Berisha, ka përmendur aksin rrugor Milot-Lezhë-Shkodër që sipas tij do të jetë përparësi e të gjitha përparësive si dhe autostradën Tiranë-Durrës.

“Bëhet e zhbëhet një tender se si të rriten çmimet Milot-Balldre. Për ne, përparësi absolute ka së pari zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi dhe korsi urgjence në dy anët.

Së dyti, rruga Milot-Shkodër. Zgjerimi i kësaj rruge është kusht, është emergjencë sot.

Natyrisht përfundimi në kohë i rrugëve që po u harrohet emri. Ato janë shumë të domosdoshme”, tha Berisha.

Po ashtu në projektet e reja rrugore të PD nëse vjen në pushtet pas 11 majit, është ndërtimi i unazës periferike.

Berisha tha se PD do i rikthehet me vendosmëri infrastrukturës rurale

“Unaza periferike duhet të qarkojë Shqipërinë. Është projekt shumë i vjetër.

Të mos harrojmë se rruga e parë automobilistike në Shqipëri është segment i kësaj unaze, Delvinë-Devoll. Ne punuam në këtë unazë jo pak. Nga Valbona në Gjoricë. Punuam në aksin Gjoricë-Librazhd dhe në segmente të tjera.

Banorët e fshatit duhet të kenë infrastrukturën e njëjtë me të qytetit, rrugët, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat. Përndryshe pse do të jetojë ai aty.

Pra në këtë kontekst ne i rikthehemi infrastrukturës së Shqipërisë rurale me vendosmërinë më të madhe”, tha Berisha.

Sipas tij, Unaza periferike e Shqipërisë është arteria e mbajtjes gjallë, e vitalizmit, e shfrytëzimit të të gjitha pasurive të pafundme që këto zona kanë.

Po ashtu, Berisha premtoi se përparësi absolute do ti jepet mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.

(Balkan Web)

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb