Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të hënë një takim me kandidatët socialistë për deputetë të Qarkut të Tiranës. Kreu i qeverisë tha se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi të madhe gjeostrategjike.

Sipas tij, për herë të parë mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale dhe e prekshme dhe është hapur një dritare që nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë për integrimin e vendit në BE.

“Kemi një skuadër që sot i jep të gjithëve mundësi të zgjedhin. Ndryshe nga herët e tjera kemi një karakteristikë të re të shumëpritur për mua personalisht, që në skuadrën e 11 majit kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne pasi në një proces të gjatë kanë parë se sa pa lidhje dhe sa e kotë është të besosh se mund të bijë diçka e mirë për vendin e njerëzit duke dalë për të kërkuar vota për ata që sot janë përballë nesh.

Është e mirëpritur sepse besoj se PS është më e gjerë se perimetri i anëtarësisë dhe është shumë më e gjerë se shumëkush brenda nesh e percepton duke harruar që në fund të ditës ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve që me votën e diasporës mund të shkojnë në 1 mln.

E pamundur të mos përpiqemi që këtë forcë t’ua vëmë në dispozicion të gjithëve pavarësisht dallimeve.

Nuk ka pasur zgjedhje të tjera me një peshë gjeopolitike si kjo. Për herë të parë mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale dhe e prekshme. Është hapur një dritare që nuk do të qendrojë e hapur përgjithmonë. Treni i historisë kalon para nesh dhe ne duhet të jkemi të vetëdijshëm që ndalon shumë pak në stacion”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb