Deklarata nga Shtëpia e Bardhë për telefonatën e Trump me Putin sugjeron se presidenti amerikan është tërhequr nga kërkesa e tij për një armëpushim të menjëhershëm tokësor, ajror dhe detar. Në vend të kësaj, Putini ka rënë dakord të ndalojë sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Ky ishte, në fakt, një propozim ukrainas që amerikanët e hoqën anash një javë më parë. Trump dhe Putin gjithashtu duket se kanë rënë dakord për bisedime të menjëhershme të nivelit teknik drejt një zgjidhjeje afatgjatë.
Kremlini tha se kjo duhet të jetë “komplekse, e qëndrueshme dhe afatgjatë në natyrë”. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo do të thotë bisedime të mëtejshme midis SHBA-së dhe Rusisë apo negociata dypalëshe midis Rusisë dhe Ukrainës.
Por, më e rëndësishmja, Putini ka vendosur një kusht të madh për këtë – një kusht që është ekzistencial për Ukrainën. Në deklaratën e Kremlinit thuhet se një kusht kyç për “parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe punën drejt zgjidhjes së tij” duhet të jetë “ndërprerja e plotë e ndihmës ushtarake të huaj dhe shkëmbimi i inteligjencës me Kievin”.
Putini e ka shijuar tashmë gatishmërinë e Trump për të ndërprerë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe po përpiqet ta detyrojë atë ta përsërisë atë – ndërkohë që ia kthen topin Kievit për të rënë dakord për një armëpushim shumë më të kufizuar sesa Trump kishte kërkuar që ata të nënshkruanin.
(Balkan Web)
