TIRANE
Universiteti ‘Luarasi’ organizoi një leksion të hapur me kardiokirurgun Kristo Papa, nga Medical Clinic London, me temë “Konceptet Bazë të Operacioneve Kardiake”.
Ky aktivitet mblodhi studentë të shumtë të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset dhe teknikat kryesore që aplikohen në ndërhyrjet kirurgjikale të zemrës në Britaninë e madhe.
Doktor Kristo Papa ndau me studentët njohuri të vlefshme mbi mekanizmat e funksionimit të zemrës, llojet e ndërhyrjeve kardiake, si dhe risitë më të fundit në këtë fushë. Diskutimi u shoqërua me shembuj praktikë dhe një analizë të hollësishme të procedurave që shpëtojnë jetë çdo ditë në sallat e operacionit.
Studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë me Dr. Papën për sfidat dhe përparësitë e kësaj fushe kaq jetike të mjekësisë. Ky leksion ishte një hap i rëndësishëm për të nxitur kureshtjen akademike dhe për të frymëzuar studentët që të ndjekin rrugën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor.
Universiteti ‘Luarasi’ synon që këto leksione të hapura të jenë të vazhdueshme, duke sjellë ekspertë të ndryshëm nga fusha të ndryshme për të ofruar studentëve një përvojë të pasur akademike dhe praktike.
Kjo nismë përforcon angazhimin e universitetit për të ndërtuar ura të forta mes teorisë dhe praktikës, duke përgatitur studentët për një të ardhme profesionale të suksesshme dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.
