Egnatia luan një pjesës të vendit të parë këtë të enjte, ku përballë do të kenë rivalët e Vllaznisë. Me pjesët e formacionit që po plotësohen pak e nga pak, me rikuperimet e Aleksit dhe Ndrecës, kampionët kërkojnë të dalin patjetër me tri pikët, për më tepër që është një ndeshje e cila luhet në shtëpinë e tyre dhe kanë një detyrim edhe moral ndaj tifozëve.

Pritet që edhe mbështetja e tyre të jetë e konsiderueshme, për më tepër që është vendosur të luhet në mbrëmje në orën 20:00, me synimin e vetëm për ta bërë sa më atraktive edhe për pjesën e publikut.

SHPRESAT – Pesë ndeshjet e fundit nuk kanë qenë brenda pritshmërive në kampin rrogozhinas, sepse kanë marrë vetëm një fitore ndaj Dinamos, tri barazime dhe një humbje ndaj Skënderbeut. Megjithatë, për aq kohë sa janë në krye duket se çdo hap fals bën të harrohet dhe të shihet përpara. Ndaj Vllaznisë, kampionët duan rikthimin tek fitorja pas dy barazimeve radhazi dhe shpresat janë të varura te Lushkja.

Thuhet kështu, jo vetëm për faktin se mesfushori është golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i ka dhënë shumë pikë të vlefshme për renditjen, por edhe raportin që ka me golat ndaj Vllaznisë. Në dy ndeshjet e fundit ku rrogozhinasit kanë marrë një barazim 1-1 dhe fitore 2-0, protagonist ka qenë pikërisht kavajasi. Në barazimin në Rrogozhinë, ishte pikërisht ai që shënoi që në minutën e parë, me skuadrën që në fund siguroi vetëm një pikë.

Më pas, në Shkodër, shënoi golin e parë duke u treguar i saktë nga penalltia, duke i hapur rrugën fitores në një fushë të vështirë. Në sfidën tjetër në Shkodër që ai nuk gjeti rrjetën, Egnatia u mund. Edhe kësaj here, Tetova dhe i gjithë ekipi shpreson te forma e mirë e 28-vjeçarit për të dalë me një rezultat pozitiv. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesa rezultativ do të tregohet në këtë përballje golashënuesi, në mos në skenë për t’i dhënë rezultatin pozitiv mund të dalë ndonjë tjetër lojtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb