Partizani ka hyrë në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen e së enjtes kundër Dinamos. Ekipi i kuq kërkon të konfirmohet konkurrues për titullin, si dhe të shuajë çdo shpresë që mund t’u ketë mbetur rivalëve poshtë katërshes.
Gjergji Kote vijon të ketë probleme fizike. I riu është stërvitur i veçuar dhe kjo pritet të zgjasë edhe pak ditë. Ai mbetet në dyshim për Dinamon. Nëse mungon, do të ishte jo pak problem për Abilaliajn, pasi korçari ka treguar se është lojtar kyç.
Skuadrës në stërvitje i është bashkuar Gudjufi, i cili gjithsesi ende ka shqetësime. I rikuperuar mund të konsiderohet Altin Bytyçi, i cili u ftua nga Silvinjo për stërvitjet e Kombëtares. Edhe pjesa tjetër e ekipit janë të gjithë gati për ta nisur nga minuta e parë. Pjesë e skuadrës është edhe Bintsuka, i cili nuk është thirrur nga Kongo për shkak të pezullimit nga FIFA.
RRESHTIMI – Në dy ndeshjet e fundit, Abilaliaj e ka rreshtuar ekipin me klasiken 4-3-3. Edhe kundër Dinamos nuk pritet të ketë ndryshime jo vetëm në skemë. Sa u përket emrave, pritet që Kote të mos startojë, teksa mund të ketë edhe ndonjë ndryshim sa i përket sulmit.
