Tre vitet e fundit sektori i turizmit në Shqipëri u rrit shpejt, duke e bërë një nga vendet me rritjen më të madhe të numrit të turistëve. Qeveria dhe vetë Kryeministri Rama e kanë një nga mburrjet më të mëdha në mandatin e fundit dhe premtojnë një tjetër rekord në këtë vit.
Mirëpo ky vit nuk është si gjithë të tjerët, pasi më 11 maj janë zgjedhjet parlamentare. Sa mund të ndikojë fushata zgjedhore dhe situata pas 11 majit në turizëm? Operatorë që kanë eksperiencë në fushën e turizmit, duke u nisur edhe fushata të tjera zgjedhore (qofshin edhe ato vendore), shprehen për “BalkanWeb” se ka ndikim, sidomos për muajin maj dhe qershor. Grumbullimet e simpatizantëve, bllokimi i disa rrugëve, si dhe aktivitetet e ndryshme elektorale të subjekteve politike “frikësojnë” sidomos turistët vendas dhe ata që vijnë nga Kosova apo vendet fqinje, pasi e dinë që në kaluarën ka pasur jo pak precedentë që mund të ndikojnë në pushimet e tyre.
Një tjetër element që ndikon në pushuesit vendas është fakti që vendimet për t’i pushuar i marrin pas zgjedhjeve, pasi një pjesë e mirë mund të jenë të angazhuar edhe në fushatë. Frika më e madhe është situata paszgjedhore, pasi nëse certifikimi i rezultateve do të ketë vonesa, frenon një pjesë të mirë të turistëve për të prenotuar pushime, kryesisht në bregdet. Aq më keq do të ishte situata nëse do të kishte tension, përplasje apo protesta.
Gjithsesi, operatorët mendojnë se këto situata mund të ndikojnë deri më 15 qershor dhe pastaj çdo gjë pritet të vijojë si vitet e tjera, në mos më mirë, pasi njerëzit kërkojnë të pushojnë pas një kohe të ngarkuar, që duket sikur ka nisur që në mars.
Sa u takon turistëve të huaj, gjithçka do të varet nga mbarëvajtja e zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë incidente dhe kontestime të shumta, gjithashtu certifikim të shpejtë, pritet një numër akoma më i madh turistësh, në të kundërt, nuk do të ishte çudi që të anulonin ardhjen në Shqipëri.
(BalkanWeb)
