Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prezantoi sot programin për mjedisin, pyjet dhe kullotat, duke e cilësuar situatën aktuale si alarmante. Ai akuzoi qeverinë për shkatërrim masiv të pyjeve, ndërprerje të subvencioneve dhe favorizim të mafias së ndërtimit në zona të mbrojtura.
“Pyllëzimi do të jetë prioritet kryesor, i kombinuar me mbjelljen e drurëve frutorë. Do të rindërtojmë infrastrukturën e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave, sipas standardeve evropiane,” – u shpreh Berisha.
Ai akuzoi se trafikimi i druve është kthyer në industri fitimprurëse për segmente të pushtetit, duke përmendur Taulant Ballën si një nga përfituesit.
“Do të investojmë seriozisht për një mjedis të pastër, të mbrojtur dhe të zhvilluar, duke sjellë standardet më të mira për qytetarët shqiptarë,” – përfundoi ai.
“Ndaj dhe projekti ynë ka një synim: vendosjen e standardeve më të mira evropiane në programin tonë.
Standarde të cilat synojnë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të pastër, një mjedis të monitoruar, një mjedis të zhvilluar.
Kompleksi mjedisor, faktorët që bashkëveprojnë në mjedisin, do të marrin të gjithë vëmendjen dhe angazhimin.
Nuk ka dyshim se pyllëzimi real do jetë një drejtim qendror.
Pyllëzimi do të gërshetohet me mbjelljen e drurëve frutorë. Por kjo nuk do të thotë se do hiqet dorë nga mbjellja e drurëve të tjerë nativë për zonat ku ato janë.
U shkatërrua e tëra infrastruktura e mbrojtjes së pyjeve.
U shkatërrua e tëra infrastruktura e kullotave.
Rindërtimi i institucioneve të këtyre fushave, veprimtaria e tyre në përputhje me standardet evropiane, do jetë zotimi ynë para shqiptarëve.
Menaxhimi transparent dhe i ndershëm, sot dihet, po të shkosh nga Elbasani gjer në Kolonjë, të shohësh kamionët me dru, Taulant Balla e kanë targën. Kjo është e vërteta.
A janë të gjitha të tij apo jo, nuk e di, por atij i del emri edhe në Kolonjë, edhe në Librazhd, kjo është e vërteta.
Pra këta bëhen milionerë, më shumë se milionerë me këtë shkatërrim masiv që u bëhet pyjeve.
Pra, rënia në këto sektorë është shumë e madhe, shumë e dhimbshme, shumë me pasoja.
Por përsëri potencialet e ringritjes janë reale dhe ne jemi të vendosur t’i japim me programin tonë, mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe kullotave, ujërave dhe ajrit, investimet më serioze në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt standardet evropiane në këto fusha si standardet më të mira për shëndetin dhe jetesën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
