Në Shënjestër

Pjesa e Dytë

Por nëse historia e Rebekës do të ishte vetëm një ndodhi fatkeqe në det dhe pas kësaj tragjedie nuk do të fshihej një aspekt i errët i asaj që në të vërtetë ndodh në Shqipëri, ku korrupsioni dhe abuzimi me detyrën janë kthyer në një sinonim të së keqes, ndoshta e gjithë kjo ngjarje do të mbyllej si një aksident teknologjik i shkuar në mënyrën jo të duhur.

Por sigurisht kjo nëse do të ishte në të vërtetë kështu.

Pasi zbulimi i plotë i rrethanave të ngjarjes tregoi se ashtu sikurse ndodh në të tilla raste, administratori agjencisë së zhytjeve ishte një punonjës policie.

I njohur si Saimir Kushova.

47 vjeçari, që jo vetëm nuk përmbushi përgjegjësitë e tij ligjore, duke qenë sot në hetim nga Prokuroria e Sarandës për ‘shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë’, por fill pas incidentit, ia mbathi nga Shqipëria, dhe u kthye në një narkotrafikant në Norvegji.

Aty ku ndodhet sot i dënuar për trafik droge

Kushova, një zhytës profesionist, si dhe instruktor në tre kompani ndërkombëtare të zhytjeve, i cili ishte ndër të parët që u mor në pyetje në shtatorin e vitit 2022, në lidhje me humbjen e jetës së shtetases britanike, Rebeka Gannon.

Saimir Kushova: Më datë 19 Shtator 2022, në agjencinë time janë paraqitur një vajzë dhe një djalë të cilët donin të bënin zhytje.

Vajza quhej Rebeka Gannon dhe ka plotësuar formularin me të dhënat personale, ku përfshihen niveli i certifikimit të zhytjes, rubrika e të dhënave mjeksore, si dhe e pajisjeve që merren nga zhytësi.

Pas procedurave të zakonshme, ata kanë shkuar te anija ‘Propitas’ ku do të kryente zhytjen grupi ku bënte pjesë edhe Rebeka.

Informacione të cilat ata i kanë marrë nga G.B, e cila punon si përkthyese në agjenci.

Ku ajo u ka shpjeguar mbi vendin e zhytjes si dhe u ka bërë gati pajisjet që zhytësit do të merrnin me vete.

Në lidhje me Rebekën ajo që dua të them është se ajo kishte dy instruktorë.

Saimir Kushova tha më tej para grupit hetues se ai i ishte përmbajtur të gjitha procedurave, siç e përcakton rregullorja e zhytjes.

Por po kështu ai pranoi se rregullatori i fryrjes së jelekut në rastin e Rebekës, në fillim nuk kishte funksionuar.

Duke pranuar në një fare mënyre se pajisjet nuk ishin në standardin e duhur për të tilla sporte dhe nivele.

Saimir Kushova: Në momentin që Rebeka, po montonte pajisjen, ajo konstatoi se rregullatori që shërben për fryrjen e jelekut me ajër nuk funksiononte.

Për këtë arsye punonjësja G. B. ndryshoi rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë, pajisja funksionoi në rregull.

Por vetëm disa minuta pasi grupi i turistëve të huaj ishin nisur në det për t’u zhytur, administratori i ‘Spiranca Diving Center’ tha se ai pa që një prej zhytëseve po kërkonte ndihmë.

Dhe ai u nis menjëherë te ajo, e cila ndodhej 30 metra larg.

Por kur arriti konstatoi se ajo kishte të hequr rregullatorin nga goja, gjë që sipas rregullores së zhytjes nuk lejohet.

Lidhur mbi rastin fatkeq në det, grupi hetues sekuestroi edhe të gjithë dokumentacionin e agjencisë së zhytjeve ‘Spiranca Diving Center’, që rezulton se ka një veprimtari ligjore në ushtrimin e këtij biznesi që nga viti 2017.

Ku herëpashere ka marrë licenca të ndryshime për ushtrimin e këtij aktiviteti në sportin e zhytjes.

Dosja Hetimore
Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë i mundur sekuestrimi i dokumenteve, në zyrën ‘Spiranca Diving Center’,  nga ku rezulton se nga viti 2017 deri në vitin 2021, ka disa certifikata regjistrimi.

Po kështu kjo kompani ka edhe një certifikatë të lëshuar nga  Federata Shqiptare e Zhytjes më datë 20 Nëntor 2019. Si dhe një udhërrëfyes turistik të certifikuar më datë 8 Nëntor 2021. Po kështu u sekuestrua edhe një regjistër zhytje i vitit 2022. Ku nga materialet e grumbulluara gjatë kësaj faze, policia gjyqësore ka referuar në organin procedues, në ngarkim të shtetasit Saimir Kushova, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’

Krahas dokumentacionit, grupi hetues sekuestroi në cilësinë e provave materiale edhe bombolat, jelekun dhe rregullatorin e përdorur nga tashmë viktima, 29 vjeçarja, Rebeka Gannon.

Pajisje që u dërguan për ekzaminim teknik pranë Forcave Speciale RENEA, me qëllim për të përcaktuar gjendjen teknike të tyre.

Gjithashtu në lidhje me shkakun e vdekjes së shtetases britanike Rebeka Gannon, u përpilua dhe një akt eskpertimi mjeko-ligjor, ku trupi i saj u dërgua në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, me qëllim kryerjen e autopsisë.

Ndërkohë që mbrëmjen po të datës 19 Shtator 2022, vetëm disa orë pasi kishte ndodhur humbja e jetës së Rebeka Gannon, policia bëri arrestimin në flagrancë të administratorit të ‘Spiranca Diving Center’, Saimir Kushova.

Dosja Hetimore
Në momentin që po montonte pajisjen, shtetasja Rebeka Gannon ka parë që rregullatori për fryrjen e jelekut nuk ka funksionuar.

Për këtë arsye punonjësja G.B ndryshoi rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë derisa funksionoi tha që çdo gjë ishte në rregull.

Disa minuta pasi grupi ku bënte pjesë Rebeka Gannon u zhyt, kjo e fundit ka dalë në sipërfaqe dhe ka kërkuar ndihmë.

Në ndihmë të saj ka shkuar menjëherë personi në hetim Saimir Kushova, i cili ndodhej rreth 30 metra larg.

Por kur është afruar pranë saj ai ka konstatuar se ajo kishte të hequr rregullatorin nga goja.

Por sapo ai i është afruar Rebeka Gannon është zhytur në gjëndje të lirë nën sipërfaqen e ujit.

Por pasi është nxjerrë mbi sipërfaqe nga personi nën hetim, edhe pse i është dhënë ndihma e parë mjeksore, ajo nuk ka mundur që të mbijetojë.

I pyetur nga grupi hetues se cilat mund të kenë qenë shkaqet që çuan Rebeka Gannon të heqë rregullatorin e jelekut nga goja, Saimir Kushova u justifikua duke thënë se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të panikut që në këtë moment mund të ketë kapluar zhytësen.

Saimir Kushova: Në lidhje me pyetjen tuaj se cilat mund të jenë shkaqet që çuan Rebeka Gannon të heqë rregullatorin e frymëmarrjes nga goja, kjo mund të ketë ndodhur për shkak të panikut, i cili mund të përçojë ndjesinë e mosfurnizizimit me oksigjen.

Ndërsa në lidhje me funksionin e jelekut, ajo që mund të shpjegoj është se pajisja ka rol balancues me peshat që vendos zhytësi për të qëndruar nën sipërfaqe.

Por edhe pse Saimir Kushova u mundua të gjente justifikime të dobishme që mund ta ndihmonin tia dilte pa lagur nga kjo ngjarje e tmerrshme, gjatë gjykimit rezultoi se ai i kishte lënë të vetëm instruktorët, ditën kur ata u nisën me grupin e zhytësve të huaj, për të eksploruar fundin e detit.

Ai u shfaq pranë tyre vetëm në momentin kur tragjedia tashmë ishte konsumuar në det. Çka rezultoi të ishte shumë vonë, për t’i shpëtuar jetën Rebekës.

Dosja Hetimore
Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se instruktorë të grupit ku bënte pjesë edhe viktima Rebeça Gannon ishin shtetasit D. G. dhe A. K.

Të cilët ishin përgjegjës për respektimin e procedurës, mbarëvajtjen e zhytjes dhe mbi të gjitha të shëndetit të zhytësve.

Por siç rezultoi gjatë gjykimit, Saimir Kushova edhe pse ka qenë ai që ka shkuar për t’i dhënë ndihmë viktimës, nuk ka qënë pjesë e grupit të zhytjes ku Rebeka Gannon bënte pjesë.

Por ajo që rezulton e habitshme është fakti se grupi hetues nuk mori në pyetje, dy instruktorët, që atë ditë shoqëruan në det grupin e zhytësve ku bënte pjesë edhe Rebeka Gannon.

Një aspekt i pashpjegueshëm edhe sot.

Dosja Hetimore
Referuar akteve objekt gjykimi, gjykata konstaton se dy instruktorët nuk janë pyetur dhe nuk është verifikuar nëse posedojnë aftësitë përkatëse për të ushtruar një aktivitet të tillë.

Çka i krijon bindjen gjykatës për mundësinë e ekzistencës së veprës penale si dhe përgjegjësinë e të hetuarit, si personi përgjegjës për kontrollin e cilësisë së pajisjeve, protokollit të zhytjes si dhe përzgjedhjen e stafit ndihmës.

Por ndërsa pritej që Saimir Kushova, si administrator i kompanisë së zhytjeve ujore ‘Spiranca Diving Center’, t’i nënshtrohej një gjykimi të rregullt, ai zgjodhi të fitojë lirinë e përkohshme duke lënë një garanci pasurore prej 15 milionë lekë të vjetra.

Gjë që u pranua nga Gjykata e Sarandës.

Moment që ai e shfrytëzoi për të lënë Shqipërinë.

Kjo pasi ndërsa Saimir Kushova, prind i tre fëmijëve, i njohur edhe për disa nisma sociale në qytetin e Sarandës, kryesisht në pastrimin e detit, edhe pse kishte detyrimin të paraqitej në në policinë gjyqësore, çdo të hënë, të fillim javës, vetëm disa kohë më pas, ai filloi të mos e zbatojë më këtë masë sigurie.

Çka detyroi prokuroren e çështjes të kërkonte konfiskimin e shumës prej 1.5 milionë lekë të reja.

Si dhe kalimin e kësaj shume në favor të shtetit.

Saimir Kushova i cili me t’u arratisur nga Shqipëria u shfaq në faqet e para të gazetave në Norvegji.

Pasi më 13 Prill 2023, ai u arrestua në Husnes së bashku me 5 palombarë të tjerë shqiptarë, midis të cilave edhe një femër.

Të cilit ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta me drogë nga anija ‘Nordloire’ e cila vinte nga Brazili.

Çanta ku ndodheshin plot 150 kg kokainë që më pas u sekuestruan nga policia.

Hetimet
Saimir Kushova u arrestua në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë bashkë me 5 palombarë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve një femër.

Ata ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta nga anija ‘Nordloire’ e cila vinte nga Brazili. Në çanta ndodheshin plot 150 kg kokainë të cilat u sekuestruan nga policia.

Policia norvegjeze e kishte filmuar grupin e shqiptarëve gjatë lëvizjes së tyre në zonë dhe ndërhyri sapo u nxor kokaina.

Pas arrestimit të të dyshuarve, policia gjeti gjithsej 8 telefona të shpërndarë mes gjashtë personave.

Të dyshuarit i përdorën këto për komunikim të koduar në aplikacionet ‘Signal’ dhe ‘Session’.

Ky episod i trafikut të lëndës narkotike, ku Saimir Kushova vendosi në shërbim të organizatës kriminale që trafikoi drogën eksperiencën e tij si zhytës, i kushtoi shumë ish-punonjësit shqiptar të policisë.

I cili ndërsa iu shmang drejtësisë në Shqipëri, në lidhje me humbjen e jetës së Rebeka Gannon, u dënua nga një gjykatë në Norvegji me 15 vite të gjata burgim.

Media norvegjeze
Saimir Kushova rezulton i dënuar me 15 vjet heqje lirie në Norvegji nën akuzën e trafikut të drogës.

Gjatë procesit Kushova mbajti qëndrim mohues, ndërsa disa të pandehur të tjerë pranuan akuzën.

Kishte midis tyre që thanë se mendonin se do të nxirrnin hashash dhe jo kokainë nga anija.

Disa të pandehur pretenduan gjithashtu se kishin pasur kërcënime të familjes dhe se çuditërisht një avokat italian kishte kontaktuar familjet e tyre në Shqipëri për të marrë në ngarkim çështjen duke e quajtur edhe këtë një formë kërcënimi.

Gjatë inspektimit të qelisë së Saimir Kushovës, policia norvegjeze gjeti këtë tekst të shkruar në mur:

‘Tel i zi s’është toni. Erdhëm për pushime. Është hera e parë që i shoh se dinim se ku do na çonin. Na çuan me zor nuk na kërcënuan po kuptova që nëse do kundërshtonim do na bënin keq. Ne s’donim të zhyteshim natën. S’kemi fol për lekë asnjëherë. Na paguan udhëtimin. U lidhëm me një agjenci biletash’.

Por policia nuk arriti të kuptonte se për kë ishte drejtuar ky mesazh i shkruar në qeli.

Por humbja tregjike e jetës së Rebekës në Shqipëri, mori një vëmendje kryesore edhe në median britanike.

Që i kushtoi një hapësirë të gjerë lajmit.

Sikundër edhe në këtë artikull të Daily Mail.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb