Edhe një herë tjetër Egnatian e nxjerr nga situata Regi Lushkja, autori i golit të parë në Ballsh, duke i hapur rrugën e fitores skuadrës së tij dhe duke mbajtur kryesimin. Kavajasi ka shkuar në kuotën e 14 golave, aq sa Bekin Balaj, duke hedhur seriozisht edhe kandidaturën për “Këpucën e Artë”, diçka jo e zakonshme për një mesfushor. Përpos faktit që me golat e tij po shpëton Egnatian, 29-vjeçari po thyen edhe rekorde, jo vetëm në aspektin personal, por edhe tek Egnatia. Thuhet kështu, pasi ky është sezoni më i mirë për mesfushorin sa u përket golave, sepse në vitin e tij më të mirë tek Laçi pati gjetur rrugën e rrjetës gjashtë herë.

Nga ana tjetër, Lushkja ka lënë pas edhe sulmuesit e tjerë të rrogozhinasve ndër vite, ku të paktën në historinë “moderne” të Egnatias askush nuk pati shkuar në kuotën e 14-të golave. Këto rezultate mund të themi se i atribuohen edhe trajnerit Tetova, që ka arritur t’i gjejë pozicionin perfekt në fushë dhe t’i marrë rezultatet më të mira të karrierës.

GOLASHËNUESIT -Lushkja deri më tani ka shkuar në kuotën e 14 golave, por janë për t’u luajtur edhe katër ndeshje, duke pasur mundësinë për të shënuar të tjerë, pa llogaritur edhe dy ndeshjet që do të luhen në “Final 4”. Në sezonin 2021-2022, golashënuesi i skuadrës së Egnatias ishte Pedro Augusto me 10 gola në total. Më pas, dy sezonet pasardhëse e gdhendi emrin si goleador, i ndjeri Rafael Duanena, i cili u nda tragjikisht nga jeta sezonin e kaluar pas një arresti kardiak në fushë në një ndeshje të Superiores kundër Partizanit. Në sezonin 2022-2023, ganezi shënoi 11 gola, ndërsa në 2023-2024 nëntë të tillë. Duhet thënë se sezonin e parë luajti vetëm gjysmën e tij, sepse iu bashkia ekipit në janar, ndërsa në të dytin vetëm pak muaj, para se të ndahej nga jeta, duke mos pasur mundësinë të mbyllë një sezon të plotë.

REKORDI I RI -Nëse Lushkja për momentin ka thyer rekordin e golashënuesit brenda një sezoni tek Egnatia, tani kërkon një tjetër sukses, të bëhet golashënuesi më i mirë i rrogozhinasve në historinë e viteve të fundit, kur ekipi u ngjit në elitë. Aktualisht ai është në vendin e pestë dhe përpara vetes ka Artur Maganin me 16 gola, Fernando Medeiros dhe Xhekson Kenio me 18 gola dhe Rafael Duamena me 24 rrjeta. Me ritmin që po ndjek, ka shanse që të ngjitet i dyti që në këtë sezon, ndërsa synimi mbetet për të arritur Duamenën. Është dhjetë gola më pak dhe nëse qëndron sezonin e ardhshëm te kampionët, me shumë mundësi mund t’ia dalë të jetë në krye.

Fdsgg
Fdsgg

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb