Një krim i rëndë ka tronditur Italinë, ku 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula u gjet e vrarë dhe e futur në një valixhe, e cila u hodh në një zonë të pyllëzuar në Poli. Autor i dyshuar i ngjarjes është 23-vjeçari Marc Samson, ish-i dashuri i saj, i cili ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se telefonin e saj e ka hedhur në një pusetë.

Samson, student arkitekture dhe punonjës në McDonald’s, është arrestuar për vrasje dhe fshehje të trupit. Policia e lokalizoi atë përmes tabulateve telefonike, pasi dyshohet se pas zhdukjes së Ilaria-s, ai përdori celularin e saj për të postuar në rrjetet sociale.

Vëllai i viktimës, Leoni Sula, ka treguar se e ka parë motrën për herë të fundit më 23 mars, kur ajo e vizitoi në Terni.

“Ishte e qetë dhe nuk më tregoi për ndonjë problem. Pas asaj dite mora disa mesazhe prej saj, por nuk jam i sigurt nëse i ka shkruar ajo,” – deklaroi ai.

Ai konfirmoi se Ilaria dhe Marc kishin qenë në një lidhje për rreth një vit, por ishin ndarë. “Pyesim veten pse e bëri këtë. Vetëm ai e di arsyen,” – përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb