Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Durrës, Jola Hysaj, ka replikuar ashpër me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako, duke e akuzuar për braktisjen e qytetarëve dhe keqmenaxhimin e investimeve publike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hysaj e kritikoi Sakon për indiferencën ndaj problemeve të përditshme të banorëve. “E dashur Mirjana Sako, nuk e di si i shikon ti qytetarët e Durrësit—ndoshta si ‘fakirë’, ndoshta si të padukshëm. Po të tregoj unë kush janë ata: banorët e Durrësit të Ri, Durrësit të Vjetër, Rushkullit, Hamallajt, Bizës, Jubës—qytetarë të lënë pas dore,” shkroi ajo.

Hysaj akuzoi bashkinë për mungesën e investimeve thelbësore në infrastrukturë dhe shërbime publike. Sipas saj, qytetarët “ecin në rrugë të prishura, mbeten pa ujë dhe drita, dhe detyrohen të bëjnë akrobaci për të mbërritur në shtëpitë e tyre,” ndërsa bashkia shpërndan vetëm “premtime boshe”.

Duke paralajmëruar pasoja politike për Sakon, Hysaj i kujtoi se pushteti është një përgjegjësi, jo një privilegj. “Ky qytet nuk është i yti, është i tyre! Nuk je në atë zyrë për të sunduar, por për të shërbyer! Nëse vazhdon kështu, e ardhmja jote politike është e qartë: do të të mbajnë mend si një tjetër zhgënjim. Dhe qytetarët e Durrësit nuk harrojnë!” përfundoi ajo.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb