Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka shpallur disa masa të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit të pensionistëve dhe të sëmurëve në Shqipëri. Ai ka theksuar se një nga prioritetet do të jetë përfshirja e 100% të ilaçeve në listën e rimbursimit, duke u mundësuar kështu të gjithë qytetarëve, sidomos pensionistëve, të kenë mundësi të sigurojnë ilaçet që nevojiten për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, siç ndodh në vendet e zhvilluara si Italia.
Për pensionistët, Berisha premtoi rritje të pensioneve, duke garantuar një pagesë minimale prej 200 eurosh për ata që aktualisht marrin pensione të pjesshme. Gjithashtu, ai tha se pensionistët do të përfitojnë një kartë konsumatori që do të mundësojë kthimin e TVSH-së për ushqimet dhe produktet bazë, një masë që do të përmirësojë kushtet e jetesës për mbi 510 mijë pensionistë.
Në aspektin e shëndetësisë, Berisha ka kritikuar qeverinë aktuale për mungesën e ilaçeve në spitale dhe ka premtuar ndryshime të menjëhershme, duke siguruar ilaçet për të sëmurët, sidomos për ata që kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm. Ai e ka krahasuar situatën aktuale me vendet e tjera të BE-së, duke theksuar se Shqipëria do të ofrojë ilaçe të njëjtës cilësi si në Itali dhe se ligji për tregtimin e ilaçeve do të ndryshojë për të siguruar ilaçe të sigurt dhe efektive.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Nuk ndalemi me këtë.
Tani kush përfiton nga kjo? Nga kjo përfitojnë mbi 510 mijë pensionistë, të cilët marrin pension jo të plotë, por të pjesshëm. Pensioni i pjesshëm është nga 90 gjer në 130-140 euro.
Jo, këta të gjithë pa përjashtim do marrin 200 euro.
Përfitojnë edhe ata që nuk kanë asnjë pension. Edhe ata do marrin 200 euro. Nuk mund t’i lërë shoqëria kurrë në mëshirë të fatit.
Përveç kësaj, pensionistët nuk mund të blejnë me të njëjtin çmim ushqimet siç i blejmë ne me rroga të larta dhe të mesme. Atëherë ne atyre do u japim kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë që të gjitha ushqimet dhe gjërat bazë që do i blejnë, do u kthehet TVSH-ja, pra 20-përqindëshi.
Sa është kjo? Kjo është 450 euro në vit. Nuk ëshët pak. Po ta marrësh me pensionet e sotme, janë tre pensione.
Do të ulim energjinë në 7 lekë. Do përgjysmojmë tarifën e ujit.
Absolutisht do futen në listën e rimbursimit 100 përqind të gjitha ilaçet që një vend i zhvilluar, që Italia apo një vend tjetër i zhvilluar, i ka në listën e rimbursimit.
Po, nuk jemi si Italia ne, po për të sëmurët do të bëhemi si Italia ne. Atyre ilaçet mund t’ua sigurojmë.
Ne nuk arrijmë të kemi rrogat e tyre, por ilaçet do ua sigurojmë. Ilaçet askush nuk i do për qejf, ilaçet janë për jetën e tyre, për të mbajtur shëndetin.
Kështu që edhe lista e rimbursimit do ndryshojë. Më tha një pensionist, unë i marr në Itali falas. Absolutisht u them pensionistëve që do i marrin në Shqipëri, do i marrin falas dhe të njëjtën cilësi si në Itali.
Pse kjo? Shumë e thjeshtë. Ne kishim ligjin që nuk lejonte tregtimin në Shqipëri të ilaçeve që nuk përdoreshin minimumi në dy vende të BE. Ilaçet që përdoren në Europë kontrollohen nga një ent më seriozi në Europë. Ndaj dhe ne kthejmë ligjin muajin e parë dhe në Shqipëri ilaçet e skaduara, ilaçet me gjysëm efekti nuk mund të tregtohen më.
Pra, edhe njëherë qëndrojmë po këtu.
Nuk mund të mungojnë kurrë, siç ndodh sot, ilaçe në spitalet tona. Nuk mungonin ilaçet, ua them unë, absolutisht.
E rikujtoj si sot, unë jam mjek, dhe nëse do më drejtohej për ilaçe spitali, nuk mund të imagjinoja që të mos bëja çdo me ministrinë që ilaçet të siguroheshin. Më janë drejtuar njëherë tre vajza nga Lushnja me talasemi. Më thonë që jemi vajza të reja dhe detyrohemi të bëjmë injeksione, por tani ka dalë një ilaç. Ilaçi ishte shumë i kushtueshëm, por ne i morëm.
Çfarë ndodh me Edi Ramën, të mos ia përmendim emrin më mirë? Aty janë bërë krime kundër njerëzimit në onkologjik. Po në qoftë se janë bërë krime kundër njerëzimit, atëherë transformoje situatën menjëherë, garanto ilaçet e të sëmurëve. Tre ditë më mbrapa, mjekët merrnin në telefon të sëmurët se nuk ka ilaçe. Ata nuk janë shumë, por dhimbja e tyre peshon sa toka. Nuk ka më keq se t’i lësh ata pa ilaçe në mëshirë të një sëmundje të rëndë.
Pra, këto marrin fund.
