Në rrëfimin e tij në podcastin e kryeministrit Rama, Imzot Joani foli edhe për kthimin nga Amerika, për t’iu përgjigjur thirrjes së Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, figurë që ai e cilëson si një nga më të ndriturat në historinë e Kishës Ortodokse në vend.

“Kryepeshkopi Anastas është një tjetër figurë e ndritur në historinë e kishës sonë. Bëri të mundur rindërtimin nga gërmadhat me durim të madh dhe dashuri për Kishën e njerëzit. Nuk mund të qëndrosh 3 dekada, shpesh herë edhe me kundërshtime, po nuk pati dashuri të madhe për Kishën dhe njerëzit. Përvoja që kam duke qenë me të për 33 vite, më tregoi që e donte Kishën, njerëzit dhe vendin. Në Greqi ka pasur ankesa se ishte më tepër shqiptar se sa duhet”, u shpreh ai.

Po ashtu imzot Joani vlerësoi figurën e Fan Nolit, si një nga njerëzit më të ndritur të Kishës.

“Mbetet një nga njerëzit më të ndritur të Kishës. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm, ka bërë gjithë atë punë i vetëm. Kur isha në Amerikë, punuam disa kohë për të sistemuar bibliotekën e Fan Nolit. Në disa shkrime shprehej, “Kisha mbetej dashurua ime e parë”. Njihte mirë muzikën kishtare, jo vetëm përkthyesi më i madh, por edhe figura qendrore e Kishës”, tha ai.

Imzot Joani u zgjodh Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas. Me një përvojë të gjatë si Mitropolit i Korçës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Kryepeshkopit Anastas për 32 vjet, fortlumturia e tij Joani pritet të vazhdojë punën për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kishës Ortodokse në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb