“Berat Green Half Marathon” u zhvillua sot në qytetin e Beratit për të tretin vit radhazi. Në maratonë morën pjesë mbi 400 vrapues nga 30 shtete të ndryshme të botës, duke e bërë këtë edicion një event me rëndësi ndërkombëtare.
Këtë tê diel, qyteti i Beratit ka mirëpritur edicionin e tretë të “Berat Green Half Marathon”, një ngjarje sportive që ka bashkuar për orë të tëra qindra sportdashës shqiptar dhe të huaj.
Maratona, që përfshinte distancat 10 dhe 21 kilometra, ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në qytet, ku mbi 400 pjesëmarrës vrapuan në rrugët e qytetit, duke u bërë promotorë të bukurive të tij të mbrekullueshme. Pjesëmarrës nga vende të ndryshme sfiduan veten, duke promovuar jo vetëm sportin,por edhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe turizmit të qëndrueshëm në Berat, qytet i njohur për trashëgiminë e tij kulturore dhe bukurinë natyrore.
Ladi Hoxha, një nga organizatorët e këtij eventi,tha se zhvillimi i “Berat Green Half Marathon” po kthehet në një traditë të rëndësishme, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë sportistë profesionistë dhe amatorë. Sipas tij, ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për ata që duan të sfidojnë veten dhe të kalojnë përmes rrugëve të kalldrëmta të Beratit,një qytet i njohur për bukurinë e tij.
Maratona e Beratit u mbyll rreth orës 13:45 minuta dhe pas përfundimit të saj u shpërndanë edhe çmimet respektive, për çdo kategori. Për kategorinë 21 kilometra për meshkuj, garuesi turk Üzeyir SÖYLEMEZ arriti ta përfundonte garën i pari, me kohën 1 :06: 48,duke thyer edhe rekordin e vendosur vitin e kaluar, ndërsa pas tij u rendit sportisti Ivan Bubnov në vendin e dytë dhe Nesim Kerkouri në vendin e tretë.
Për femra, vendin e parë në 21 km e rrëmbeu sportisja e Tiranës, Redia Dauti, e cila ka marrë pjesë edhe në dy maratonat e para të zhvilluara në Berat. Kjo ishte medalja e parë e saj në Berat, pas dy vendeve të dyta në garat e kaluara. Pas saj, në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Jouline Eckl dhe Judit Varga.
RENDITJA E FITUESVE SIPAS KATEGORIVE
Në garën 21 kilometra (meshkuj) fitues u shpallën:
Vendi i parë: Üzeyir SÖYLEMEZ
Vendi i dytë: Ivan Bubnov
Vendi i tretë: Nessim Kerkouri
Në garën 21 kilometra (femra) fitues u shpallën:
Vendi i parë: Redia Dauti
Vendi i dytë: Jouline Eckl
Vendi i tretë: Judit Varga
Në garën 10 kilometra (meshkuj) fitues u shpallën:
Vendi i parë: Bledar Mesi
Vendi i dytë: Muxhahid Mislimi
Vendi i tretë: Tirron Mamusha.
Në garën 10 kilometra (femra) fitues u shpallën:
Vendi i parë: Biljana Kiradieva
Vendi i dytë: Ejona Cufe
Vendi i tretë: Erjona Bokçiu
Kategoria 65+ 21 Km.
Vendi i parë: Gazmend Shehu
Vendi i dytë: Gazmend Grapci
Vendi i tretë: Skender Gashi
Kategoria 65+ 10 km.
Vendi i parë: Ismet Borovci
Vendi i dytë: Shefqet Terziu
Vendi i tretë: Ylli Alushi
(BalkanWeb)
