Koreja e Jugut do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale më 3 qershor, për të zëvendësuar presidentin e rrëzuar Yoon Suk Yeol. Lajmi u konfirmua të martën nga udhëheqësi në detyrë i vendit, Han Duck-soo.

Vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve vjen pas vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi presidentin Yoon nga detyra, për shkak të vendosjes së ligjit ushtarak në dhjetor – një lëvizje që u cilësua e gabuar dhe antikushtetuese.

Sipas legjislacionit korean, një president i ri duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga rrëzimi i kreut të shtetit.

Zgjedhjet pritet të zhvillohen në një klimë të ashpër politike, e ndikuar nga polarizimi i thellë mes dy forcave kryesore: Partisë Konservatore të Pushtetit Popullor të Yoon dhe Partisë Demokratike opozitare liberale.

Partia e Pushtetit Popullor përballet me një betejë të vështirë për të ruajtur pushtetin, teksa përpiqet të rikthejë besimin e publikut dhe të shërojë përçarjet e thella të brendshme, të shkaktuara nga manovrat e diskutueshme të Yoon-it për shpalljen e ligjit ushtarak.

Partitë politike në Korenë e Jugut pritet të nisin së shpejti procesin e zgjedhjeve paraprake për të përzgjedhur kandidatët e tyre presidencialë.

Nga kampi i Partisë Demokratike, kandidati kryesor dhe më i mundshëm mbetet Lee Jae-myung.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb