Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve një grup qytetarësh nga komuniteti rom që jeton në qytetin e Elbasait u mblodhën përpara godinës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të shpërndarë një mesazh sensibilizues të fuqishëm dhe për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Na pajisni me çertifikatën e banesës, mos na diskriminoni” ishte thirrja që ata bënë publikisht për të gjitha institucionet shtetërore duke shprehur shqetësimin e thellë për situatën e vështirë që po kalojnë.
Përfaqësia e komunitetit rom nga qyteti i Elbadanit theksoi se pa një dokument pronësie në dorë nuk ndihen të mbrojtur nga shteti dhe jetojnë me frikën se çdo projekt i ri zhvillimi mund t’i lërë ata pa strehë sikurse ka ndodhur shpesh herë me qindra familje të këtij minoriteti në Tiranë ,Fier ,Vlorë ,Durrës e gjetkë.
Në këtë protestë banorët e komunitetit rom ngritën zërin për mungesën e mbrojtjes ligjore dhe për diskriminimin që ndjejnë nga administrata shtetërore.
Shumë prej tyre kanë aplikuar për legalizimin e banesave të tyre prej disa vitesh, por për shkak të vonesave dhe procedurave të pasakta, ata nuk kanë mundur ende të marrin certifikatën e pronësisë, një dokument jetik ky për të garantuar të drejtat e tyre mbi pasuritë e tyre.

Aktivisti i Lëvizjes Rinore Egjyptiane dhe Rome, Ervis Çota, i cili ishte i pranishëm në këtë protestë , i mbështeti banorët në kërkesat e tyre dhe kërkoi që institucionet shtetërore të respektojnë afatet ligjore për përfundimin e procedurave të legalizimit.
Çota theksoi se edhe pse shumë qytetarë kanë aplikuar për legalizimin e shtëpive të tyre që nga vitet ’90, deri tani nuk ka pasur një përgjigje të qartë dhe të plotë nga ana e autoriteteve.
“Të gjithë qytetarët kanë të drejtën të kenë një strehë të ligjshme dhe të mbrohen nga shteti. Kjo është një kërkesë për barazi dhe drejtësi,” u shpreh ai.
Përveç kësaj, të dhënat e grumbulluara nga vetë komuniteti rom tregojnë se mbi 200 romë në Elbasan janë ende në pritje të legalizimit të banesave të tyre, ndërkohë që numri i atyre që kanë mundur të marrin certifikatën e pronësisë është shumë i vogël.
Kjo situatë ka krijuar një ndjesi të fortë pasigurie dhe diskriminimi për ata që ndodhen në këtë situatë.
Protesta në Ditën Ndërkombëtare të Romëve u shndërrua në një thirrje të fuqishme për drejtësi dhe barazi, duke kërkuar që shteti të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre dhe të mbrohen nga çdo pasojë e zhvillimeve urbane të pamenduara për ata.
(BalkanWeb)
